Viber prezanton veçorinë e re

Viber tani është bërë një aplikacion shumë i përdorur në botë, duke u futur kështu në listën e “aplikacioneve më të suksesshme”. Viber ka prezantuar veçorinë e re, që është ‘biseda publike’.

Auto & Tek

29/11/2014 21:04

Viber u lansua më 2010 dhe ndryshoi përfundimisht tregun e telefonisë mobile në botë, duke e bërë shërbimin pa pagesë.

Gjatë katër viteve të fundit ekzistenca e këtij aplikacioni është rritur aq shumë sa që sot ai garon me shumë shërbime të internetit që janë në treg pothuajse për një dekadë, transmeton Lajmi.net.

Sidoqoftë, kompania ka vendosur që ta shtojë një veçori të re në shërbim. Viber ka prezantuar një veçori të re e cila quhet ‘bisedat publike’.

Kjo veçori ka filluar të marrë përshtypje të mira nga shumë përdorues në botë.

“Ne po e lansojmë këtë veçori me një linjë të mrekullueshme të yjeve botërore, personaliteteve, grupeve nga e gjithë bota”, tha kompania.

Kjo do të jetë një lloj eksperience sociale për përdoruesit të cilët do të jenë në gjendje të kenë biseda edhe me përdorues të tjerë, transmeton Lajmi.net.

Do të ketë edhe biseda të hapura live në mes të përdoruesve dhe yjeve dhe personaliteteve botërore. Përveç kësaj, përdoruesit e Viber sot kanë marrë disa mesazhe nga kompania ku është thënë se ‘Viber tani do të jetë me pagesë dhe një mesazh do të kushtojë 1 cent nëse nuk e konfirmoni që jeni një përdorues i dëshiruar’. Për ta konfirmuar këtë, u është kërkuar përdoruesve që këtë mesazh ta dërgojnë tek 10 kontakte, por asgjë nuk është ende zyrtare nga kompania për këtë.