Vetëvendosje proteston për barazi gjinore

Rreth 55 për qind e grave janë të papuna, e vetëm 5 për qind e grave posedojnë pronë në emrin e tyre.

Lajme

08/03/2015 15:28

Me këto të dhëna aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë protestuar të dielën në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke thënë se papunësia e gruas po vjen si rezultat i modelit neoliberal që, në kombinim me sistemin patriarkal të vlerave, e ka shtypë dhe e ka shpronësuar gruan.

vv2

Kështu, ata mendojnë që duhet të themelohen vlera të reja në shoqëri, ku në fushën publike dhe atë private, ndarja e punës duhet të jetë e barabartë, si për gra ashtu edhe për burra.

Teutë Rrusta, aktiviste e kësaj lëvizje, tha se seksualizmi dhe stereotipizmi i punës është njëra ndër arsyet pse sot gratë e gjejnë rehatinë në zymtësinë shtëpiake.

vv3

Sipas saj, ato janë të varura prej burrit dhe gjenden në mesin e punëve shumë të rënda fizike në shtëpi.

“Me rastin e 8 Marsit, në Kosovë 55 për qind e grave janë të papuna. Papunësia e gruas vjen si rezultat i modelit neoliberal, i cili në kombinim me sistemin patriarkal të vlerave e ka shtypë dhe e ka shpronësua gruan. Sot vetëm 5 për qind e grave posedojnë pronë ose kanë pronën në emrin e tyre. Ndërsa privatizimi ka lënë pa punë shumë gra e cila pastaj ka rezultuar me humbjen e pavarësisë ekonomike”, thotë ajo.

Rrusta tha se punët e shtëpisë çdo herë i takojnë gruas, edhe atëherë kur ajo është e punësuar.

Sipas saj, punët e shtëpisë asnjëherë nuk ndahen mes burrit dhe gruas.

vv4

Andaj, Lëvizja Vetëvendosje, mendon se duhet të themelohen vlera të reja në shoqëri.

“Puna dhe e drejta formale ligjore nuk e kanë çliruar gruan nga moralizmi mbi të dhe seksualizmi i vendeve të punës. Për këtë arsye ne mendojmë që duhet me u themelua vlera të reja, vlera të tjera në shoqëri, ku edhe në sferën publike edhe në sferën private ndarja e punës duhet me qenë e barabartë, si për gra ashtu edhe për burra. Pra në mesin e grave dhe të burrave duhet të ketë ndarje të barabartë të punëve. Angazhimi për barazi gjinore në përgjithësi edhe projekt politik, projekt politik i cili nuk mund të paramendohet pa angazhimin e gruas për çështje të mëdha politike shoqërore. Ne mendojmë që gratë punëtore dhe gratë e papuna duhet të angazhohen konkretisht. E angazhimi na shfaqet para se gjithash si angazhim aktiv, si pjesëmarrje e jo vetëm si përfaqësim”, tha ajo.

Sipas tyre, kjo logjikë e funksionimit përsëritet në sektorë të ndryshëm ku gra të punësuara, siç është puna në administratë, në agjenci të ndryshme e në bankë, në të shumtën e rasteve, gratë përfundojnë duke punuar nëpër sportele.