Vetëvendosje padit Ramiz Kelmendin

Lëvizja Vetëvendosje ka paditur për shpifje në Gjykatën Themelore, biznesmenin dhe deputetin e AAK’së, Ramiz Kelemendi. Dardan Molliqaj pret që gjykata t`i japë “dënimin e merituar”.

Lajme

24/01/2014 10:54

Lëvizja Vetëvendosje ka paditur për shpifje biznesmenin, Ramiz Kelmendi, pas akuzave të këtij të fundit për shantazh nga një person për të cilin thoshte se është anëtar i kësaj Lëvizjeje.

Pas vendimit në të Komunës së Prishtinës për rrënimin e një pjese të objektit të kompanisë “ELKOS Grup”, Kelmendi, i cili është pronar i kësaj kompanie, kishte thënë se ai është kërcënuar nga një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se po kërkon nga ai 250 mijë euro.

Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, së bashku me aktivistin Armend Shkoza, kanë deponuar një padi civile në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Rrënimi i këtij objekti në Prishtinë nxiti akuza nga Ramiz Kelmendi ndaj Vetëvendosjes
Foto: Petrit Rrahmani, Lajmi.net

Molliqaj ka thënë se pret që sa më shpejt gjykata ta ekzekutojë këtë proces dhe t`i japë Kelmendit “dënimin e merituar”.

Përveçse biznesmen, Ramiz Kelmendi është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga AAK.

“Jemi këtu tek gjykata komunale për të paditur një shpifje të rëndë që i është bërë Vetëvendosjes, nga një person, i cili i ka sjellë shumë dëme ekonomisë së Kosovës që bëhet fjalë për biznesmenin Ramiz Kelmendi”.

“Përveç që e ka shkatërruar ekonominë e Kosovës duke e ndihmuar ekonominë e Serbisë tash së fundi pas ndërtimeve pa leje që i ka bërë në qytetin e Prishtinës të cilat Komuna e Prishtinës në bazë të ligjit i ka rrënuar si të tilla”.

“Ai në një konferencë për shtyp ka shpifur për Vetëvendosjen dhe e ka akuzuar Vetëvendosjen se Vetëvendosja është subjekti i cili përmes gjoja anëtarit të saj i ka vendosur haraç një personi të tillë”.

“Jemi këtu për ta paditur për një shpifje të ulët të pa vërtetë dhe kërkojmë që organet e gjyqësisë në këtë rast Gjykata Themelore këtu në Prishtinë të veprojë shpejt dhe personin në fjalë ta dënojë për një shpifje të cilën ia ka bërë Vetëvendosjes”.

“Nga aspekti juridik faktet janë të qarta sepse ai ka shpifur duke aluduar në raste konkrete duke folur me emra dhe shuma konkrete dhe duke qenë që ai nuk figuron as si anëtar i yni, as si mbështetësi i yni dhe nuk ka kurrfarë lidhje me Vetëvendosjen tregon se faktet janë shumë të sakta”.

“Presim që gjykata ta ekzekutojë shumë shpejt këtë proces dhe në fund të  këtij procesi presim një dënim të merituar për z. Kelemendi siç ka ndodhur për rastet tjera”, ka thënë Molliqaj.