I iku Policisë me shpejtësi, përfundoi në rrugë pa dalje – arrestohet në Shtime 21-vjeçari i arratisur prej tre vitesh nga vuajtja e dënimit

Një 21-vjeçar, i cili ishte në kërkim me urdhërarrest aktiv dhe kishte qëndruar për rreth tre vjet jashtë vendit pasi ishte arratisur nga institucioni korrektues, është arrestuar mbrëmjen e së martës në Shtime pas një ndjekjeje nga Policia e Kosovës. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 29 korrik rreth orës 22:15,…

Lajme

30/07/2026 09:51

Një 21-vjeçar, i cili ishte në kërkim me urdhërarrest aktiv dhe kishte qëndruar për rreth tre vjet jashtë vendit pasi ishte arratisur nga institucioni korrektues, është arrestuar mbrëmjen e së martës në Shtime pas një ndjekjeje nga Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 29 korrik rreth orës 22:15, kur hetuesit e Stacionit Policor në Shtime, gjatë patrullimit në rrugën “Tahir Sinani”, kanë vërejtur një automjet, shoferi i të cilit nuk u kishte dhënë përparësi këmbësorëve në vendkalimin e shënuar.

Zyrtarët policorë i kanë bërë shenjë për ndalim, por drejtuesi i automjetit nuk iu është bindur urdhrit të tyre dhe ka vazhduar lëvizjen. Pas aktivizimit të sinjalizimit të automjetit policor, ai ka shtuar shpejtësinë, duke kryer manovra të rrezikshme në komunikacion, përfshirë edhe tejkalime mbi trotuar.

Ndjekja ka përfunduar në rrugën “12 Qershori”, ku i dyshuari është futur në një rrugë pa dalje. Ai ka ndaluar automjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, por është ndjekur nga njëri prej hetuesve, i cili, pas urdhrave verbalë për ndalim, ka arritur ta neutralizojë dhe ta arrestojë.

Pas shoqërimit në stacionin policor, është konstatuar se personi i arrestuar, me inicialet A.S., 21 vjeç, ishte në kërkim me urdhërarrest aktiv. Sipas të dhënave zyrtare, ai ishte arratisur nga institucioni korrektues gjatë vuajtjes së dënimit dhe për rreth tre vjet kishte qëndruar jashtë vendit.

Me vendim të gjyqtarit kompetent, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për procedura të mëtejshme ligjore.

Policia ka bërë të ditur se gjatë tentativës për arratisje dhe arrestimit, i dyshuari ka bërë rezistencë aktive dhe ka pësuar lëndime të lehta trupore. Atij i është ofruar trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime.

Policia Rajonale e Ferizajt theksoi se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, garantimin e sigurisë publike dhe arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë. /Lajmi.net/