Vetëvendosje e zhgënjyer që vrasësit e Zymberit ende janë në liri

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, i kryesuar nga nënkryetari Dardan Sejdiu ka bërë homazhe tek lapidari i heroit të Kosovës, policit të vrarë në detyrë Enver Zymberit.

Lajme

26/07/2016 12:07

Në një komunikatë për media të VV-së, thuhet se shembulli Zymerit ishte dhe mbetet inkurajues për të gjithë synojnë krijimin e atdheut të lirë dhe sovran.

Vetëvendosje po ashtu ka shprushur zhgënjimin e saj për mos vënie të drejtësisë për këtë rast si dhe ka akuzuar qeveritarët për negociata me Serbinë dhe konvencione sipas tyre të dëmshme siç është “Zajednica”, përcjell lajmi.net.

13669615_10153545702542000_4663357443605264241_n

Komunikata e plotë e VV-së:

Një delegacion i Lëvizjes VETËVENDOSJE! bëri homazhe pranë lapidarit të Heroit Enver Zymberi, policit të vrarë nga strukturat kriminale ilegale të Serbisë në veri të Kosovës me 26 korrik të vitit 2011, në krye të detyrës, në përpjekjen për ta shtrirë sovranitetin në gjithë territorin e vendit.

Shembulli i Enver Zymberit ishte dhe mbetet inkurajues jo vetëm për brezin tonë, por edhe për gjithë brezat e ardhshëm, që synojnë krijimin e atdheut të lirë e sovran. Akti i tij heroik ka bërë që emri i tij të shkruhet në pllakën ku shkruhen emrat e gjithë atyre shqiptarëve që u flijuan për Kosovën me liri, pavarësi e sovranitet të plotë, për Kosovën ku gjithë qytetarët janë të barabartë.

Për fat të keq, ndonëse kanë kaluar pesë vite nga vrasja e heroit Zymberi, vrasësit e tij ende nuk dihen dhe jetojnë në liri, teksa qeveritarët e Kosovës kanë vazhduar negociatat me Serbinë, duke pranuar koncesione e projekte të dëmshme si “Zajednica”.

Gjyqi i realizuar nga EULEX me të dyshuarit për këtë krim të Serbisë doli të jetë një dështim dhe zhgënjim.

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh gjithmonë respektin dhe nderimin e thellë për punën, veprën dhe vetëmohimin e Enver Zymberit, duke theksuar përherë që emri i heronjve dhe dëshmorëve tanë nuk duhet të harrohet asnjëherë, ashtu sikurse që gjaku i tyre nuk humbet kurrë.