Veteranët e UÇK’së kërcënojnë me protesta
Veteranët e UÇK’së kanë vënë si afat të fundit 10 marsin për miratimin e ligjit për ta. Nëse deri në këtë datë Kuvendi nuk e miraton këtë ligj ata kërcënojnë se do dalin në protesta dhe nuk do të përgjigjen për atë se çka mund të ndodh më pas.
Nëse ligji për veteranët e luftës të UÇK’së nuk miratohet deri më 10 mars, ata do të dalin në protesta.
Kryetari i OVL UÇK, Muharrem Xhemajli, thotë se shpreson se nuk do të ketë nevojë për protesta, pasi që ligji për veteranët është i domosdoshëm, raporton KTV.
“Kërkesat dhe aktivitetet tona janë të parapara edhe me statutin e organizatës sonë ku nuk përjashtohen as protestat”.
“Për organizimin e mëtutjeshëm, ne do të mblidhemi me Këshillin Drejtues dhe do të marrim vendime për hapat e mëtutjeshëm. Megjithatë ne shpresojmë se nuk do të ketë nevojë për hapa të tillë sepse është një ligj i domosdoshëm”.
Ndërsa, Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Veteranëve të UÇK’së, Xhevdet Qeriqi, thotë se nëse ligji nuk kalon shpejt, veteranët nuk do të marrin përgjegjësi për atë se çka mund të ndodhë më vonë. Ai e sheh këtë zvarritje si “lojë” për fushatë zgjedhore.
“Gjendja e veteranëve është tensionuar dhe është bërë një dhunë psikike ndaj veteranëve qe 15 vjet”.
“Në rast se nuk kalon shumë shpejt, dhe kjo bëhet për lojëra dhe për fushatë zgjedhore, ne do të jemi në rrugë, mirëpo ne nuk do të marrim përgjegjësi për atë çka do të ndodh më vonë”.
“Problemi është tek qeveritarët tonë, jo pse nuk ka fonde”.
Ndërkaq, Ministri Agim Çeku thotë se ligji nuk ka arsye për tu zvarritur. Ai thotë se procedurat ligjore marrin kohë por që thotë se ky ligj është në prag të aprovimit të tij.
“Unë nuk pres zvarritje sepse nuk ka arsye që të ketë zvarritje. Ligji duhet t’i kalojë disa komisione, duhet të marrin qëndrim edhe grupet parlamentare që t’i japin vërejtjet e veta sugjerimet e veta. Disa ditë merr kohë por jemi në prag të aprovimit të këtij ligji”, ka thënë Çeku për KTV.