Vetëm tre deputetë të VV-së u distancuan nga deklarata e Gecit që kërkoi burg të përjetshëm për Thaçin – Nuk reagoi as Shqipe Selimi
Deputeti i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Fatos Geci dje ka dhënë deklaratën më skandaloze të dhënë ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës. Në seancën e jashtëzakonshme që opozita kishte thirrur për çmimin e energjisë elektrike, Geci zgjodhi të rëndoj fort luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes Hashim Thaçit. Derisa fliste për dënimin që Gjykata Themelore…
Lajme
Deputeti i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Fatos Geci dje ka dhënë deklaratën më skandaloze të dhënë ndonjëherë në Kuvendin e Kosovës.
Në seancën e jashtëzakonshme që opozita kishte thirrur për çmimin e energjisë elektrike, Geci zgjodhi të rëndoj fort luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes Hashim Thaçit.
Derisa fliste për dënimin që Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte dhënë Naim Murselit me burg të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Geci kërkonte që i njëjti fat ta përcjell edhe Hashim Thaçin në Hagë ku po gjykohet për luftën çlirimtare.
“Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit. Dhe ju që shpresoni se lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, ka thënë Geci.
Kjo deklaratë që ishte e tmerrshme dhe skandaloze të thuhet në Kuvendin e Kosovës, ngjalli reagime të shumta nga pozita dhe pozita.
Edhe disa nga bashkëpartiakët e tij i dolën kundër, duke filluar që nga shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci.
Ajo menjëherë doli në foltoren e Kuvendit, ku e përsëriti qëndrimin e VV-së se lufta çlirimtare ishte e drejtë dhe e pastër.
“Sot këtu në këtë seancë u thanë shumë fjalë këtu, shumë të pavërteta gjithsesi ia vlen të theksohet publikisht ajo që besoj është e ditur nga qytetarët, qëndrimet e grupit parlamentar të VV-së në lidhje me luftën çlirimtare të UÇK-së. Këto qëndrime janë publike, të qarta dhe qëndrojmë pas tyre. Lufta çlirimtare ka qenë e drejtë, e pastër dhe ne respektojmë përpjekjet e të gjithë të rënëve për liri dhe atyre që kanë kontribuar për lirinë e vendit”, ka thënë Nagavci.
Ndaj Gecit, reagoi edhe deputeti tjetër i VV-së, Hysen Durmishi që tha se ndihet i turpëruar nga ajo deklaratë.
“Unë ndihem i turpëruar nga deklarata e deputetit Geci! Lufta jonë ishte e pastër dhe çlirimtare! UÇK është vlera më e lartë e kombit tonë!”, ka shkruar ai.
Ndër reagimet e pakta të VV-së ishte edhe ai i Enver Dugollit.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një nga vlerat më sublime të historisë sonë. Askush nuk ka as të drejtë dhe as bazë të vërë dyshime apo njolla mbi të. Shpresoj që asnjë pjesëtar i kësaj ushtrie të mos dënohet apo gjykohet në procese gjyqësore, e sidomos në një proces si ai i Gjykatës Speciale, e cila nuk i ka ndjekur e aq më pak dënuar krimet gjenocidale të Serbisë. Çfarëdo thirrje apo kërkese, nga kushdo qoftë, për dënimin e ndonjë pjesëtari të UÇK-së në këtë gjykatë, është e papranueshme, e panevojshme dhe e dëmshme”, ka shkruar Dugolli.
Deputetët e VV-së si Arbëreshë Kryeziu-Hyseni e Alban Bajrami që ishin në T7, vetëm thane se mbështesin qëndrimin e Arbërie Nagavcit të cilin e tha në seancë.
Ndaj kësaj deklarate nuk reagoi askush tjetër nga VV, biles as Shqipe Mehmeti Selimi, bashkëshorti i së cilës Rexhep Selimi ndodhet në Hagë dhe po gjykohet në të njëjten gjykatore me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqi.
Deklarata skandaloze e tij është komentuar dhe ka marrë reagime të ashpra edhe nga deputetë të opozitës dhe shoqëria civile, deklaratë e cila u tha se mund të dëgjohej në Kuvendin e Serbisë por asnjëherë në atë të Kosovës. /Lajmi.net/