Përurohen renovimet në Klinikën e Kardiologjisë, Kurti: Kapaciteti i ndërhyrjeve do të rritet nga 4 mijë në 8 mijë, do të zvogëlohen listat e pritjes

Sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë përuruar renovimet në Klinikën e Kardiologjisë, ku kanë marrë pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë Eric Dietz dhe një përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme të Luksemburgut. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti para mediave ka thënë se ky…

Lajme

22/04/2026 10:53

Sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë përuruar renovimet në Klinikën e Kardiologjisë, ku kanë marrë pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ambasadori i Luksemburgut në Kosovë Eric Dietz dhe një përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme të Luksemburgut.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti para mediave ka thënë se ky investim prek drejtpërdrejtë jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë dhe e lehtëson trajtimin e pacientëve.

“Një hapësirë rreth 400 metra kartor është transformuar sipas standardeve moderne spitalore duke krijuar kushte më të mira për mjekët, specialistët, infermierët dhe mbi të gjitha kushte më dinjitozë për shërim të plotë e më të shpejtë për pacientët tanë.  Funksionalizimi i CapLab-it bashkëkohor dhe vendosja angeografit të ri, përbëjnë një hap të madh përpara në diagnostifikimin dhe trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Investimi arrin vlerën prej 1.5 milionë euro ndërkaq kapacitetet e trajtimit do të rriten ndjeshëm nga mbi 4 mijë ndërhyrje në vit siç ka qenë dëri më tani, synimet janë që të arrihen kapacitetet deri në 8 mijë ndërhyrje në vit”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se pas këtij investimi do të zvogëlohen edhe listat e pritjes.

“Investimi përfshin edhe përmirësime të rëndësishme infrastrukturore, instalimin e sistemit të klimatizimit qendror, pastrimi i ajrit dhe filtrat dhe pajisja e dhomave me banjo brenda duke e ngritur standardin e trajtimit dhe mirëqenies për pacientët”, ka thënë Kurti.

Ai ka falënderuar Qeverinë dhe popullin e Luksemburgut për mbështetjen ndaj sistemit shëndetësor dhe Kosovës në përgjithësi.

Kurti ka njoftuar se më 8 prill ka filluar edhe transformimi i njësisë gjysmë-intensive kardiologjike.

“Më 8 prill ka filluar edhe transformimi i njësisë gjysmëintensive kardiologjike, çka dëshmon përkushtimin tonë për transformimin e plotë për secilën klinikë dhe secilit spital rajonal dhe rrjedhimisht të sistemit tonë të shëndetësisë publike në përgjithësi. E falënderoj edhe mjekët dhe stafin shëndetësor që bëjnë punë të jashtëzakonshme duke dhënë kontribut të pamatshëm edhe në shpëtimin e jetëve por edhe në shërimin e pacientëve dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve tonë”, ka thënë Kurti. /Lajmi.net/