Vetëm sot, Prokuroria e Pejës ngriti 21 aktakuza

18:49 | 7 Dhjetor 2018

Prokuroria në Pejë, vetëm gjatë ditës së sotme ka ngritur gjithësej 21 aktakuza për vepra të ndryshme penale.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Prokuroria Themelore e Pejës, raporton lajmi.net.

“Prokuroria Themelore e Pejës, gjatë së premte, ka ngritur gjithsej 21 (njëzet e një) aktakuza për vepra të ndryshme penale të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Përveç 21 aktakuzave, gjatë ditës së sotme, nga prokurorët e kësaj prokurorie, janë bërë 4 (katër) kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj katër të pandehurve.

Gjithashtu, gjatë kësaj dite janë nxjerrë 9 (nëntë) aktvendime për fillimin e hetimeve ndaj disa të pandehurve për vepra të ndryshme penale.

“, Prokuroria Themelore e Pejës mbetet e përkushtuar për luftimin e kriminalitetit, dhe në këtë drejtim, kërkojmë edhe ndihmën e të gjithë atyre që kanë njohuri për kreysit e veprave penale”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/