Vetëm 23 ditë pas formimit të Qeverisë së Kosovës, vendi shkon sërish drejt zgjedhjeve të reja
Legjislatura më e re e Kuvendit të Kosovës, e dalë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025, rezultoi të jetë një nga më të shkurtrat në historinë parlamentare të vendit. Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti me 11 shkurt, institucionet u përballën me një…
Lajme
Legjislatura më e re e Kuvendit të Kosovës, e dalë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025, rezultoi të jetë një nga më të shkurtrat në historinë parlamentare të vendit.
Pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti me 11 shkurt, institucionet u përballën me një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sipas Kushtetutës, Kuvendi duhet të zgjedhë presidentin me dy të tretat e votave të deputetëve në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë kërkohet shumica e thjeshtë e deputetëve.
Megjithatë, përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri dështuan, pasi nuk u arrit sigurimi i votave të nevojshme dhe në disa raste nuk u sigurua as kuorumi i kërkuar në sallë. Kjo situatë çoi në një bllokadë institucionale dhe rrezik për shkelje të afateve kushtetuese.
Në seancën e mbrëmshme kandidatë për presidentë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku mirëpo për shkak të mungesës së korumit seanca u ndërpre.
Si pasojë, presidentja e vendit Vjosa Osmani sot vendosi të shpërndajë Kuvendin dhe të hapë rrugën për zgjedhje të reja parlamentare, duke argumentuar se mosveprimi do të përbënte shkelje të Kushtetutës.
“Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje. Këtë situatë e ka krijuar dështimi i kuvendit për ta kryej detyrën. Këtu e sollen vendin njerëz të papërgjegjshëm, e me qëllime të rrezikshme. Përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme dhe është për të ardhur keq që kemi arritur deri këtu”, tha Osmani.
Në këtë mënyrë, legjislatura e re që kishte nisur punën vetëm pak javë më parë pas zgjedhjeve të dhjetorit dhe formimit të qeverisë – përfundoi para kohe, duke e futur vendin sërish në një cikël të ri zgjedhor.
Kjo situatë e bën këtë legjislaturë një nga më jetëshkurtrat në historinë e Kuvendit të Kosovës, ndërsa pritet që presidentja të konsultohet me partitë politike për të caktuar datën e zgjedhjeve të reja.
“Menjëherë sot do të ftohen liderët e partive për datën e zgjedhjeve sepse siç e dini është obligim që të konsultohen paraprakisht, dhe është pasojë e nevojshme menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe ët shpallen zgjedhjet e reja. Paraprakisht duhet një konsultim formal me partitë politike, dhe menjëherë pas kësaj do të caktohet data”, u shpreh Osmani.
Kujtojmë se para se Osmani ta shpërndate Kuvendin në konferencën e sotme, në Qeveri shkuan për takim me Kurtin Ambasadorët e QUINT-it por që nuk u dha detaje se çfarë u diskutua./Lajmi.net/