Veseli nderon familjen Nuraku

Me rastin e kalimit në amshim të nënës së bashkëluftëtarit Xhavit Nuraku, nga Plluzhina e Skënderajt, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka evokuar kujtime nga kohërat më të vështira, ditët e Luftës Çlirimtare.

Lajme

17/09/2017 17:25

Kryetari Veseli, ka rikujtuar vetitë fisnike të Nënës Azë, një nëne shembullore që u qëndroi pranë ushtarëve të lirisë duke ju dhënë edhe kurajë dhe duke qëndruar pranë tyre pa hezitim, deri në çlirimin e vendit.

Këtu është postimi i plotë i Kryetarit Veseli, dedikuar nënës shembullore të bashkëluftëtarit, Nuraku

“Sot paska ndërruar jetë nëna Azë!

Na qëndroi pranë në kohërat më të vështira, duke na dhënë bukë, strehë dhe kurajo të madhe në ato kohë të vështira, si nënë e djalit të vetëm, si gjyshe e fëmijëve të djalit të vet. Edhe kur jo më larg se qindra metra nga streha jonë, endeshin trupat e armikut, ajo pa hezitim, qëndronte pranë nesh. Nuk u zbraps deri në çlirimin e madh.

Sot, nuk është ditë e lehtë për të gjithë neve, kjo ndarje nga kjo nënë e madhe. Nuk është lehtë as për Akrepin tonë, bashkëshortin e saj dhe as për Raketën si djal, por duhet të mbahemi të gjithë të fortë dhe krenarë për nënën Azë! I përjetshëm kujtimi për të!”, ka shkruar kryetari Veseli në rrjetin social.