Vesa Smolica, zëri magjik i ‘The Voice’

Spektakli ‘The Voice of Albania’ humbi shumë, me eliminimin e papritur të Vesa Smolicës në gjysmëfinale. Këngëtarja gjakovare, falë zërit të saj të mrekullueshëm dhe paraqitjeve mbresëlënëse, shihej me gjasa të mira për ta fituar krejt këtë ‘show’ garues, por gjithçka u rrënua kur ‘trajnerja’ e saj, Alma Bektashi, e preferoi dikë tjetër për natën…

ShowBiz

21/01/2014 11:05

Spektakli ‘The Voice of Albania’ humbi shumë, me eliminimin e papritur të Vesa Smolicës në gjysmëfinale. Këngëtarja gjakovare, falë zërit të saj të mrekullueshëm dhe paraqitjeve mbresëlënëse, shihej me gjasa të mira për ta fituar krejt këtë ‘show’ garues, por gjithçka u rrënua kur ‘trajnerja’ e saj, Alma Bektashi, e preferoi dikë tjetër për natën finale.

Por, Vesën nuk e mërzit aspak ky falt. Asaj i mjafton mbështetja e pashoqe e publikut, gjatë çdo mbrëmjeje që performoi ‘live’. Vesa e konsideron një eksperiencë fantastike pjesëmarrjen në këtë spektakël televiziv.

Në një intervistë për Lajmi.net, ajo ka folur për periudhën e paharrueshme që e kaloi në ‘The Voice’, por edhe për planet për të ardhmen.

Lajmi.net: Vesa, si e përshkruan pjesëmarrjen dhe eksperiencën tënde në ‘The Voice of Albania’?

Vesa Smolica: ‘The Voice of Albania’ më ka shërbyer për t’ju treguar të tjerëve se Vesa mund të bëjë performancë në skenë gjersa këndon. Kam treguar po ashtu vlerat e mia vokale me këngët të cilat të tjerët s’kishin guxim t’i këndonin.

Në skenë gjithmonë kam dhënë emocion apo energji pozitive. Sigurisht që ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, e kam pas kënaqësinë të interpretoj ‘live’ çdo të premte para një numri të madh të publikut.

Përveç këtyre gjërave, une kam zënë një shoqëri të re dhe shume të mirë, të cilët janë konkurrentët e ‘The Voice’. Jam shumë e lumtur për këtë gjë.

Lajmi.net: Ke arritur deri në gjysmëfinale. A e ke pritur këtë arritje? A e konsideron këtë si sukses apo mendon se ke merituar edhe më shumë?

Vesa Smolica: Sigurisht, duke e pas parasysh kapacitetin tim, pretendimet e mia ishin edhe për finale, por nuk e gjykoj as vendimin e trajneres Alma Bektashi, që vendosi se rrugëtimi im në ‘The Voice’ të përfundonte në gjysmëfinale. Ajo të paktën na bëri të ditur se kësaj radhe do vazhdojë me stil dhe jo me zë potencial.

Lajmi.net: Çka do të thotë për ju puna disamuajshe me ‘profesorët’ e muzikës, siç ishin anëtarët e jurisë?

Vesa Smolica: Kam pas nderin t’i takoj personalisht. Që të katërt, qysh në audicionet e fshehta, më bënë të ndihem superiore me vlerësimet e tyre.

Lajmi.net: Dihet se ke kënduar edhe para këtij spektakli. Por, a mendon se ‘The Voice’ do ta japë një shtytje në karrierë?

Vesa Smolica: Shumë e vërtetë. Kam kënduar edhe përpara, s’është hera e parë për mua që marr pjesë në talent show. Pas gjithë kësaj eksperience, duhet të investosh shumë që mos të të harrojë publiku, pasi është e vështirë, duke e ditur dinamikën në tregun muzikor në ditët e sotme.

Lajmi.net: Kur jemi te karriera, a e shihni muzikën si profesion apo si hobi, nëse veç e keni ndonjë profesion tjetër?

Vesa Smolica: Për momentin muzikën e kam profesion dhe po bëj shumë sakrifica për të, sidomos kur është fjala për kësi lloj eventesh si ‘The Voice’, pasi m’u desh t’i lë anash studimet për aq kohë sa qëndrova në Tiranë.

Por, sigurisht që do kem profesion të dytë: jo më kot po përfundoj studimet për marketing dhe administrim biznesi, të cilat, ngaqë është viti i fundit, duhet t’i jap rëndësi të madhe e t’i përfundoj me sukses të lartë.

Lajmi.net: Diçka për fund…

Vesa Smolica: Shpresoj që publiku t’më mbështesi në çdo projekt timin ashtu siç bëri edhe në ‘The Voice of Albania’. Për një artist, është shumë e rëndësishme një gjë e tillë. Faleminderit për gjithçka.