Veprat penale për të cilat dyshohen 40 të arrestuarit
Pothuajse të gjithë të dyshuarit akuzohen për të njëjtat vepra penale, por për shkak të numrit të madh ka pak gjasa që sot të merret vendimi për masën e paraburgimit.
Lajme
Sipas kërkesës së prokurorit special Blerim Isufaj, një kopje të të cilës e posedon gazeta Zëri, pothuajse të gjithë të dyshuarit akuzohen për vepra të ngjashme penale:
– Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste
– Nxitja e urrejtjes përçarëse ose mosdurimi kombëtar, racor, fetar apo etnik
– Rekrutimi për terrorizëm
– Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve
Mbi këto dyshime prokurori Isufaj ka kërkuar masën e paraburgimit për të gjithë të arrestuarit e një dite më parë.
Kjo kërkesë po shqyrtohet në sallën e improvizuar të kinemasë ABC1 nga palët e pranishme: prokurori, gjykatësi i procedurës paraprake, 40 të dyshuarit dhe mbrojtësit e të gjithë të akuzuarve.
Ndonëse salla e kësaj kinemaje është mjaft e madhe, gazeta nga burime të saj ka kuptuar se ajo është e stërmbushur, ndërsa ka monitirues vendorë e ndërkombëtarë që po qëndrojnë në këmbë.
Duke u bazuar në numrin e madh të të dyshuarve, vendimi nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake ka pak gjasë të merret gjatë ditës së sotme, shkruan Zëri.