Vendkalimet ilegale e mungesa e laurave nëpër hekurudha sjellin edhe vdekje në Kosovë, qytetarët ankohen, Infrakosi thotë se “po punon”
Vetëm një laurë nga 25 sosh sa janë planifikuar të vendosen nëpër vendkalimet hekurudhore, është e vendosur në Bardh të Madh. Sigurimi i kalimeve hekurudhore me laura dhe sinjalizim adekuat, është masë e domosdoshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve, duke reduktuar ndjeshëm rrezikun e aksidenteve dhe duke mundësuar një qarkullim të sigurt për këmbësorët…

Lajme
Vetëm një laurë nga 25 sosh sa janë planifikuar të vendosen nëpër vendkalimet hekurudhore, është e vendosur në Bardh të Madh. Sigurimi i kalimeve hekurudhore me laura dhe sinjalizim adekuat, është masë e domosdoshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve, duke reduktuar ndjeshëm rrezikun e aksidenteve dhe duke mundësuar një qarkullim të sigurt për këmbësorët dhe automjetet.
Vendkalimet ilegale në kryqëzimet midis rrugëve dhe hekurudhave si dhe mungesa e laurave, nga ekspertët e komunikacionit vlerësohen si me rrezik të madh për kalimtarët dhe ngasësit e automjjeteve që i përdorin ato. E qytetarët që i përdorin ato kanë shprehur brengë për sigurinë.
Ramiz Shala nga Fshati Qyshk i Pejës, thotë për RTK-Radio se në vendkalimin hekurudhor nuk ka laurë dhe se si pasojë e kësaj, ka pasur edhe aksidente me fatalitet në familjen e tij.
“Treni te vendkalimi jonë nuk ka laurë dhe jemi të rrezikuar. Ne këtë vendkalim kane vdekur 3 persona. Ka pas edhe një aksident me veturë axha im por fatmirësisht ka shpëtuar. Kjo ka ndodh ma herët por ne ende jemi te rrezikuar”, tha ai.
Për mungesën e laurave dhe të sinjalizimeve të tjera hekurudhore, brengë kanë shprehur edhe disa qytetarë.
“Çdo vit më së paku një ose dy vdekje ndodhin. Në krejt botën ka rampa këtu te ne nuk ka. Nuk e di orarin e trenit”.
“Siguria është shumë e vogël normal kur nuk ka laura nuk ka as siguri. Kam parë aksidente me fatalitet në vendkalimet ku nuk ka laura”.
“Nuk ndihem i sigurt se nuk ka as semafor as rampë. Edhe rruga e dëmtuar është një gropë pastaj po behet kolonë. Nuk e di orarin e trenit se nuk shkruan askund aty”.
Shqetësim të veçantë, për ekspertët e komunikacionit paraqesin vendkalimet ilegale dhe mungesa e sinjalizimeve adekuate. Nol Dedaj, profesor në lëmin e komunikacionit, e shton nevojën e auditimit në hekurudha dhe kushteve të sigurisë që ato i kanë.
Në një përgjigje përmes postës elektronike në “Infrakos”, ndërmarrje kjo që menaxhon hekurudhat, konfirmohet se ekzistojnë vendkalimet ilegale mbi hekurudha, veçmas në segmentin Prishtinë-Fushë-Kosovë. Infrakos e cilëson si projekt të rëndësishëm për sigurinë dhe zhvillimin e hekurudhave në Kosovë duke synuar që projekti të vazhdojë tutje për instalimin e 25 laurave, e kjo përfaqëson hap të madh drejt modernizimit dhe përmirësimit të sigurisë në këto vendkalime hekurudhore në nivel.
Projekti kap një vlerë prej 6 milionë euro, financuar pjesërisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Banka Botërore, e ku gjysma e fondeve vjen si grant dhe pjesa tjetër, si kredi e butë. Ndërkohë, po punojmë paralelisht për sigurimin e fondeve që do të mundësojnë zgjerimin e këtij projekti në të gjitha vendkalimet kritike të Kosovës. Transporti hekurudhor mbetet shtyllë kyçe për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen rajonale të vendit tonë, andaj për të përmbushur këtë potencial, siguria duhet të jetë prioriteti ynë absolute, thuhet mes tjerash në përgjigjen e Infrakos.
Ndryshe “Në linjën hekurudhore Fushë-Kosovë–Pejë janë gjithsej 77 vendkalime legale dhe tri vendkalime ilegale. Prej tyre, në dy vendkalime kanë qasje vetëm nga një biznes, të cilat vendkalime rrënohen vazhdimisht, mirëpo përsëri ndërtohen nga të njëjtët… Në linjën hekurudhore Fushë-Kosovë–Prishtinë ekzistojnë gjashtë (6) vendkalime legale dhe katër (4) ilegale”, thuhet në përgjigjen e “Infrakosit”.