Vendimi i Sllovakisë për mbyllje të Zyrës Ndërlidhëse po shihet si mesazh se njohja e Kosovës është larg

Vendimi i Sllovakisë për të mbyllur Zyrën Ndërlidhëse në Kosovë po konsiderohet mesazh që ky shtet – i cili ruan marrëdhënie të mira me Serbinë – është larg njohjes së Kosovës. Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, vendimi ka të bëjë me politikën anti-kosovare të kryeministrit sllovak, Robert Fico. Nga Ministria e Jashtme e…

Lajme

23/10/2024 16:35

Vendimi i Sllovakisë për të mbyllur Zyrën Ndërlidhëse në Kosovë po konsiderohet mesazh që ky shtet – i cili ruan marrëdhënie të mira me Serbinë – është larg njohjes së Kosovës. Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, vendimi ka të bëjë me politikën anti-kosovare të kryeministrit sllovak, Robert Fico.

Nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë thanë për KosovaPress se vendimi është marrë për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe “zvogëlimit të buxhetit”.

“Sipas vendimit të qeverisë sllovake, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Sllovakisë në Prishtinë do të mbyllet deri më 31 dhjetor 2024 për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe zvogëlimit të buxhetit”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Bratisllava.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Jashtme e Kosovës i tha KosovaPress-it se vendi është i përkushtuar që të forcojë raportet me shtetin sllovak.

Sllovakia është një nga pesë shtetet e bllokut që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Shtetet e tjera janë Spanja, Qipro, Greqia dhe Rumania.

Sllovakia e konsideron Serbinë partner kyç në Ballkanin Perëndimor.

Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci nuk përjashton mundësinë që vendimi për mbyllje të zyrës të jetë marrë në bashkëpunim me Moskën e Beogradin.

“Pushteti i kryeministrit Robert Fico, kryeministrit të Sllovakisë, është i orientuar komplet pro Moskës. Këtë, kohëve të fundit nuk e fsheh pavarësisht që janë vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ky regjim i tij është komplet i dirigjuar nga Moska dhe unë nuk e përjashtoj mundësinë që vendimi të jetë marrë në bashkëpunim me Moskën dhe gjithsesi me Beogradin. Kjo nuk duhet të shqetësojë Kosovën, nuk duhet të shqetësojë Kosovën sepse ka të bëjë me relacione të tjera që kanë të bëjnë me implikimet ndërkombëtare dhe është problem më i madh për Bashkimin Evropian dhe NATO-n që brenda radhëve të veta ka kalin e Trojës siç është Sllovakia, siç është Hungaria dhe të tjera. Nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë edhe një vend tjetër, të bëjë lëvizje të tillë”, deklaron Koci.

Mbylljen e Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë, Koci e konsideron hap prapa drejt njohjes nga shteti sllovak.

“Është largim, dërgojnë mesazhin që jo vetëm që nuk do të mbajmë zyrën por njohja është shumë larg, gati e pamundur. Por edhe kjo mendoj që nuk duhet të shqetësojë Kosovën sepse është evidente që Kosova si rast sui-generis do të duhej të gjejë rrugë të tjera për afirmim ndërkombëtar dhe të bashkëpunojë me ata që janë aleatë të vërtetë të Kosovës. Është evidente që brenda Bashkimit Evropian ka shumë zëra që nuk janë në favorin e Kosovës dhe kjo ndoshta nuk është keq edhe për të dalluar kush janë aleatët tanë të vërtetë dhe e dyta mendoj se është sinjal për udhëheqësit e Kosovës dhe për të gjithë klasën politike që të bashkëpunojnë më shumë me ata që janë aleatët tanë të vërtetë”, shton ai.

Edhe Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) konsideron se vendimi i shtetit sllovak ka të bëjë me politikën e përgjithshme anti-kosovare.

“Kjo [vendimi për mbyllje të zyrës në Kosovë] ndërlidhet me politikën e përgjithshme të qeverisë sllovake, të kryeministrit Robert Fico që ka qenë dukshëm anti-kosovare. Duhet të kujtojmë që ai ka qenë kryeministër edhe në vitin 2008 kur e kemi shpallur pavarësinë dhe ai ka qenë vendimtar në mos-njohjen e pavarësisë. Dhe në ditët e fundit kemi pasur shumë lëvizje në aksin Beograd-Bratislavë. Fillimisht ministri i Jashtëm sllovak, Juraj Blanar vizitoi Beogradin ku kishte takime me ministrin serb dhe sipas të gjitha gjasave edhe kjo çështje u diskutua aty dhe po ashtu dje dhe pardje me vizitë në Bratislavë ka qenë presidenti serb Vuçiq së bashku me kryeministrin hungarez, Viktor Orban ku me sa shihet këto dy takime të shpejta kanë pasur ndikim që Sllovakia të marrë këtë qëndrim pak më radikal, pak më antagonist kundër Kosovës”, shprehet ai.

Për më tepër, ai thotë se mund të ketë regres me marrëdhëniet sllovake dhe shkëputje të marrëdhënieve zyrtare me Qeverinë e Kosovës.

“Kjo [vendimi] pa dyshim që ka një mesazh politik që bart në vete dhe që është se shteti sllovak nuk dëshiron të ketë marrëdhënie zyrtare me Qeverinë e Kosovës… Pa dyshim do të ketë ndikime negative, sepse nuk është që kanë qenë marrëdhënie shumë të zhvilluara, kanë qenë në fazat më të hershme. Kemi pasur disa takime në nivele të drejtuesish teknik të ministrive të vendit tonë dhe Sllovakisë. Dhe me këtë vendim politik nga ana e Bratisllavës do të ketë një regres në marrëdhëniet sllovake dhe me gjasë do të na duhet të presim që të vije një qeveri e ardhshme që të jetë më pro-perëndimore se kjo e tanishmja”, përfundon Gërgi.

Pavarësisht vendimit për mbyllje, Ministria e Jashtme e Kosovës tha më herët të mërkurën se vendi është i përkushtuar që të forcojë raportet me Sllovakinë, qoftë përmes “Zyrës ndërlidhëse por edhe përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian e global”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, bazuar edhe në sqarimet e këtij njoftimi, vlerëson se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjik dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera. Kosova mbetet e përkushtuar për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet që ka zhvilluar me Sllovakinë qoftë përmes zyrës ndërlidhëse qoftë përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian dhe global”, thuhet në këtë përgjigje të MPJD-së.