Vëllait të Shyqyri Haxhës i refuzohet statusi i dëshmorit
Një shkollë e mesme në Vushtrri mban emrin e tij. Bahri Haxha është vrarë më 2 maj të vitit 1999 në fshatin Studime të Vushtrrisë, por 10 vjet më pas ka hyrë në listën e dëshmorëve të kombit. Emërtimi i shkollës u bë me vendim të Kuvendit Komunal pas shpalljes së Haxhës dëshmor, në vitin 2009.

Lajme
Por në listat e verifikuara të Zonës Operative të Shalës që janë publikuar dje, emri i Bahri Haxhës figuron në listën e të refuzuarve nga Brigada 141 “Mehë Uka” të UÇK-së, transmeton KosovaPress.
Bahri Haxha është vëllai i ish-kryeshefit të PTK-së, Shyqyri Haxha. Mediat më herët kanë raportuar se Bahri Haxha është futur në listën e dëshmorëve të Zonës së Shalës me intervenim nga vëllai i tij, Shyqëri Haxha, i cili në atë kohë ishte në krye të PTK-së.
Madje trupi i Bahri Haxhës prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Stanovc të Vushtrrisë, pasi që paraprakisht ishte zhvarrosur nga Varrezat e Martirëve, që gjenden në Studime të Epërme, fshatin ku Haxha ishte vrarë së bashku me më shumë së njëqind civilë të kësaj ane.
Edhe ndërrimi i emrit të shkollës profesionale nga Latif Berisha në Bahri Haxha mediat kanë raportuar se është bërë me ndikim të Shyqyri Haxhës.
Statusin dëshmor i kombit të ndjerit Bahri Haxha ia kishte dhënë Gani Imeri, në cilësinë e komandantit të batalionit që ka vepruar në kuadër të Brigadës “Mehë Uka”.
Imeri, ndaj të cilit është bërë një gjyq, ku në mesin e aktakuzave përfshihej edhe falsifikimi i dokumenteve në lidhje me dhënien e statusit të dëshmorit Haxhës, është drejtor i një Drejtorie në Komunën e Vushtrrisë, që udhëhiqet nga PDK-ja.
Ai është shpallur i pafajshëm nga akuzat për korrupsion përfshirë edhe falsifikimin e dokumenteve.
Emri i Gani Imerit figuron te listat e invalidëve të UÇK-së të Brigadës “Mehë Uka”, të Zonës së Shalës, transmeton KosovaPress.