“Veç mos e zafsha në udhë”, 1 muaj paraburgim ndaj personit që kanosi gjyqtarin në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër një të pandehurit A.N., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosje”. Siç shkruan Gjykata përmes komunikatës për media, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e…

Lajme

05/11/2025 15:25

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër një të pandehurit A.N., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosje”.

Siç shkruan Gjykata përmes komunikatës për media, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Hakile Ilazi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se më datë 3 nëntor 2025, rreth orës 09:00 në Ferizaj, përkatësisht në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, i pandehuri me dashje, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, ka kanosur seriozisht me fjalë se do t`i shkaktoj ndonjë të keqe personit zyrtar – të dëmtuarit I.B., në lidhje me pozitën e tij zyrtare si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Rrjedhimisht  në atë mënyrë që pasi që kishte refuzuar pranimin e aktgjykimit, me anë të së cilës është shpallur fajtor dhe gjykuar, kërkon takim me gjyqtarin në zyrë dhe pasi që nuk pranohet, në prani të stafit mbështetës të gjykatës: K.L., A.Sh., Sh.R., Sh.H., dhe praktikantëve R.S., dhe E.K., me sjellje të vrazhdë, në shenjë revolte dhe me tonë të lartë kanos me fjalë se: “Veç mos e zafsha në udhë qat I.”, dhe fjalë tjera ofenduese, me ç`rast si pasojë e këtyre fjalëve dhe veprimeve tek i dëmtuari ka shkaktuar shqetësim dhe pasiguri.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve i`u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në komunikatë.