Vdes në burg mafiozi famëkeq italian, Raffaele Cutolo – “Profesori”
Një nga shefat më të frikshëm të mafisë në Itali, i cili e kishte udhëhequr bandën Camorra nga burgu, ka vdekur në qelinë e tij.
Bota
Raffaele Cutolo, 79 vjeç, i njohur me nofkën “profesori”, u gjet i vdekur në shtratin e qelisë në Parma pasi i kaloi 42 vjet në burg, shkruan Daily Mail.
Nga burgu, ai e themeloi qendrën e bandës “Camorra e Re” në vitet e shtatëdhjeta dhe e orkestroi luftën e përgjakshme kundër grupit “Cosa Nostra” të Sicilisë në vitet e tetëdhjeta.
Ai besohet se komandonte një grup prej 10.000 burrave që trafikonin kokainë. Cutolo gjithashtu u bë baba përmes fekondimit artificial dhe nga rrëfimi i tij është frymëzuar skenari i një filmi të vitit 1986. Cutolo ishte i dënuar me burgim të përjetshëm.
Djali i rritur në një fshat të Campanias madje ishte ulur në tavolinë me politikanë të lartë pasi i ishte kërkuar të negocionte për lirimin e kryetarit të rajonit Campania, ciro Cirillo, i cili ishte rrëmbyer nga Brigadat e Kuqe komuniste më 1981.
Më 1964, Cutolo, atëherë vetëm 22 vjeç, ishte burgosur pasi kishte vrarë një burrë që i kishte thënë fjalë romantike motrës së tij.
Ndonëse në burg, Cutolo bënte jetë mjaft luksoze. Në qeli qëndronte pa të burgosur të tjerë, kishte telefon me të cilin mund të bënte thirrje kudo në botë, ndërsa kuzhinieri dhe kontabilisti i tij jetonin pranë qelisë.