Vdes migranti i pestë në kufirin SHBA-Meksikë
Demokratët amerikanë kanë kërkuar hetim për vdekjen e 16-vjeçarit, Carlos Gregorio Hernandez Vásquez, në një qendër ndalimi në kufirin që ndan Shtetet e Bashkuara me Meksikën.
Bota
Vásquez, që besohet se ka vdekur të hënën, është fëmija i pestë që ka vdekur në këtë zonë nga muaji dhjetor.
Kongresisti demokrat nga Teksasi, Joaquin Castro, ka thënë se në zonën kufitare ekziston një “epidemi e vdekjes”.
“Askush nuk ka vdekur në qendër ndalimi për 10 vjet. Vetëm në gjashtë muajt e fundit janë raportuar pesë vdekje”, ka thënë Castro.
Ushtruesi i detyrës së Komisionarit për Dogana dhe Mbrojtjen e Kufijve, John Sanders, ka thënë se agjencia është “e pikëlluar për humbjen tragjike të të riut” dhe se kjo agjenci është e përkushtuar për siguri dhe trajtim njerëzor të personave që janë në mbajtje.
Mirëpo një grup prëj 38 demokratëve ka kërkuar hetim federal për këtë vdekje, përcjell rel.
Bazuar në statistikat zyrtare, më shumë se 300,000 persona janë ndaluar në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara nga muaji janar deri në prill të këtij viti.
Zyrtarët kanë thënë se ata nuk kanë hapësira për t’u përballur me numrin në rritje të migrantëve.
Presidenti amerikan, Donald Trump është zotuar për ndalje të imigrimit ilegal në SHBA.
Në muajin shkurt, ai ka shpallur emergjencë kombëtare, në mënyrë që të sigurojë fonde për ndërtimin e murit kufitar në këtë zonë.