Vdekja klinike e PTK’së

Seanca e Kuvendit për PTK’në nuk ka mundur të vazhdojë. Deputetët e opozitës lëshuan sallën. Ata nuk u pajtuan me një propozim të ri të PDK’së për ta futur në rend dite këtë çështje. Në fund, u tha se Kuvendi po e fut PTK’në në “vdekje klinike”.

Lajme

07/11/2013 10:41

Është nisur si seancë që pretendonte t’i japë zgjidhje çështjes së votimit të Komisionit Hetues Parlamentar për Privatizimin e PTK’së, por nuk ishte e shkruar që të përfundojë.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur edhe sot në përpjekje për ta tejkaluar ngërçin politik që e ka kapluar tash e dy muaj për shkak të çështjes së privatizimit të kompanisë më fitimprurëse në vend.

Grupi Parlamentar i PDK’së i është kthyer punës në Kuvend, pas bojkotit të disa seancave, por Adem Grabovci, Shef i këtij Grupi, ka kërkuar që raporti qeveritar për privatizimin e PTK’së të futet si pikë e parë e rendit të ditës.

Por, partitë opozitare lëshuan sallën kur Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ftoi deputetët e pranishëm ta votojnë këtë propozim të PDK’së.

Fillimisht Grabovci është shprehur se ky grup “nuk është kundër formimit të komisionit hetues”, por ka kërkuar respektimin e Rregullores së Punës së Kuvendit.

“Grupi Parlamentar i PDK’së nuk është kundër formimit të Komisionit, për të sqaruar çdo parregullsi”.

“Por, ne kërkojmë që duhet respektuar rregullorja e Kuvendit dhe ligjit në fuqi. Prandaj, ne propozojmë që të futet në pikën e pare të rendit të ditës”, ka thënë Grabovci.

Kolegu i tij nga LDK, Ismet Beqiri ka kundërshtuar këtë propozim të Grabovcit.

“Kërkojmë vazhdimin e seancës me pikat në rend të ditës”.

“Nuk mundet kujt t’i teket të kërkojë diçka. Prandaj, nëse hedhet në votim kërkesa e PDK’së, ne nuk do të qëndrojmë në sallë”, ka thënë Beqiri.

Edhe Visar Ymeri nga Vetëvendosje ka kërkuar që të mos ndryshohet rendi i ditës në mes të seancës.

“Nuk është pyetje se si duhet të privatizohet PTK, por a duhet, dhe Qeveria asnjëherë nuk ka dhënë ndonjë përgjigje pse duhet privatizuar. Dhe është e vështirë për Kuvendin që të veprojë pasi Qeveria vetë nuk e ka të qartë”.

“Është vërtet hipokrizi dhe paftyrësi të thuhet se jemi duke i bërë dëm. Është e vërtetë që PTK po dëmtohët, por duhet ditur se kush po e dëmton”, ka thënë Visar Ymeri.

Ndërsa Ardian Gjini, Shef i Grupit Parlamentar të AAK’së, u shpreh pesimist që Kuvendi do të mund ta zgjidhë problemin e krijuar me PTK’në.

“Po duket si përsëritje e asaj që është diskutuar në mbledhje të Kryesisë. Duhet të votohet edhe Raporti i Komisionit edhe Komisioni Hetues Parlamentar. Por, po shihet që do të kemi problem edhe kësaj radhe dhe sa po shoh sot nuk do të kemi zgjidhje”, ka thënë Gjini.

Berat Buzhala, i cili disa herë replikoi me Ismet Beqirin, propozoi që t’i hapet rrugë privatizimit të PTK’së, përderisa Komisioni Hetimor ta kryejë punë e vet pavarësisht kësaj.

Por, Beqiri tha se kjo i bie sikur pacienti të dërgohet te mjeku pasi të ketë vdekur.

I nxitur nga krahasimi, deputeti i PDK’së, Shaip Muja dha nj krahasim tjetër.

“Ne momentalisht me kontributin që e kemi dhënë, e kemi futur PTK’në në vdekje klinike”, tha Muja.