Vdekja e punëtorit në Prizren, Inspektorati i Punës: Subjektit biznesor ia ndaluam punimet, por nuk respektuan vendimin
Një 34-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra gjatë punimeve në një ndërtesë në lagjen “Bajram Curri” në Prizren. Për këtë ka reaguar Inspektorati i Punës, duke shprehur ngushëllime. Inspektorari i Punës ka treguar se gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave për siguri dhe shëndet në…
Lajme
Një 34-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra gjatë punimeve në një ndërtesë në lagjen “Bajram Curri” në Prizren.
Për këtë ka reaguar Inspektorati i Punës, duke shprehur ngushëllime.
Inspektorari i Punës ka treguar se gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave për siguri dhe shëndet në punë, ishte marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve dhe ishte shqiptuar gjobë ndaj subjektit.
Përkundër, kësaj subjekti nuk e kishte respektuar ndalimin dhe kishte vazhduar punimet në kundërshtim me urdhrin e inspektoratit.
Komunikata e plotë:
NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK
Rreth rastit tragjik të ndodhur në vendin e punës
Inspektorati Qendror i Punës me keqardhje të thellë njofton opinionin publik se sot ka ndodhur një aksident i rëndë në vendin e punës në një subjekt afarist me veprimtari në fushën e ndërtimit në rajonin e Prizrenit, ku si pasojë e rrëzimit nga një lartësi, një punëtor ka pësuar lëndime të rënda trupore, të cilat përkundër përpjekjeve mjekësore, kanë rezultuar fatale pas dërgimit të tij në QKUK.
Inspektorati Qendror i Punës shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella për familjen e punëtorit të ndjerë, duke ndarë dhimbjen me ta për humbjen e jetës së njeriut të tyre të dashur.
Pas daljes në vendin e ngjarjes dhe shqyrtimit të rrethanave, është konstatuar se subjekti në fjalë kishte qenë më herët objekt i inspektimeve nga Inspektorati i Punës, në kuadër të aksioneve të ndërmarra në sektorin e ndërtimit në rajonin e Prizrenit.
Gjatë inspektimit të fundit, për shkak të shkeljeve të rënda të dispozitave për siguri dhe shëndet në punë, ishte marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve dhe ishte shqiptuar gjobë ndaj subjektit.
Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi ligjor, subjekti nuk e kishte respektuar ndalimin dhe kishte vazhduar punimet në kundërshtim me urdhrin e inspektoratit, për çka i ishte shqiptuar edhe një gjobë tjetër.
Ky rast tregon edhe njëherë rëndësinë e respektimit të vendimeve të Inspektoratit të Punës dhe të standardeve ligjore për siguri në punë, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve.
Inspektorati Qendror i Punës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për ndriçimin e plotë të rastit, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me organet kompetente të hetuesisë për përgjegjësitë ligjore të subjektit.
Inspektorati Qendror i Punës
Prishtinë, më 29 tetor 2025