Rasti Mlladenov, nxitë protesta të reja sonte në Shkup

Situata në Maqedoni nuk po qetësohet. Një protestë e re është caktuar të mbahet sot pasdite, ndërsa mediat këtë situatë e përshkruajnë si thyerje të barrierës së frikës, që ka ekzistuar deri më tani tek qytetarët.

Lajme

07/05/2015 17:54

Situata është përkeqësuar sërish, pas konferencës së sotme të mbajtur nga kreu i partisë opozitare, LSDM, Zoran Zaev, i cili publikoi fakte të reja lidhur me vrasjen e gazetarit Nikolla Mlladenov.

Gazetari i vrarë Mlladenov

————————————-

Kreu i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev, ka publikuar sot dëshmitë për vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov.

Ai tha se nga bisedat mes zyrtarëve të lartë, ngrihen shumë dilema nëse bëhet fjalë për aksident të nxitur. Zaev tha se zyrtarët e ministrisë së brendshme kanë fshehur detaje që mund të zbardhin të vërtetën e këtij aksidenti.

Bisedat kryesisht kanë të bëjnë mes ministres së brendshme, Gordana Jankullovska dhe zëdhënësit të saj, Ivo Kotesvski, por edhe mes saj dhe Martin Protugjerit. Në disa biseda ata tallen me rastin por edhe me gazetarët tjerë që interesohen për detajet e aksidentit.

Kreu i opozitës tha se ka shumë arsyeje për nisjen e hetimit të ri të vdekjes misterioze të gazetarit, Nikolla Mlladenov.

Zaev prezantoi në detaje raportin e hetimit, por edhe vlerësimet e tillë lidhur me lëshimet e bëra, që dyshon të jenë bërë me qëllim të caktuar. Lideri i LSDM-së tha se menjëherë pas ndërrimit të pushtetit do të urdhëroj që rasti Mlladenov të hetohet nga e para me qëllim që e vërteta të dal në shesh.

Kreu i opozitës ka komentuar edhe protestat e opozitës para qeverisë, por edhe ato të mbrëmshmet para kuvendit. Zaev tha se ka individ të caktuar që synojnë nxitjen e incidenteve, andaj edhe bëri thirrje për protesta të qeta dhe dinjitoze./Alsat-M/