Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri i Vuçiqit për gatishmëri luftarake

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka urdhëruar që niveli i rritur i gatishmërisë ushtarake të vazhdoj edhe më tej ndërsa për ndryshime do të nxjerrë një urdhër tjetër.

Lajme

30/09/2018 18:05

“Këtë mëngjes kam pasur takim me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milano Mojsiloviq dhe presidentin Aleksandar Vuçiq ku u raportua mbi nivelin e rritur të gatishmërisë luftarake dhe zbatueshmërinë e urdhrave të dhënë për ne”, ka thënë Vulin për Tanjug, transmeton lajmi.net.

Ai shtoi se Vuçiq ka shprehur kënaqësi për energjinë, aftësinë dhe shpejtësinë e të gjithë pjesëtarëve të Armatës së Serbisë, por është i shqetësuar thellë me atë që po ndodh në territorin e Kosovës.

Vulin ka theksuar se presidenti serb urdhëroi që niveli i gatishmërisë luftarake të vazhdojë të qëndroj i rritur dhe më tej ndërsa për ndryshimin e tij të mundshëm do të bëj një urdhër të veçantë.

Kujtojmë se dje Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pasi pjesëtarë të Njësisë Speciale të Kosovës kanë shkuar në pjesën veriore të Kosovës ku presidenti i vendit Hashim Thaçi qëndroi për vizitë. Ai dha urdhër që ushtria e Serbisë të vihet në gjendje gatishmërie për luftë./Lajmi.net/