Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarës për aksidentin në Suharekë ku vdiqën dy persona

Gjykata Themelore e Prizrenit – Dega në Suharekë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të pandehurës M.G, e dyshuar për aksidentin e së dielës në Shirokë të Suharekës, ku vdiqën dy persona. Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka bërë të ditur zyrtari për informim i kësaj…

Lajme

30/04/2024 18:14

Gjykata Themelore e Prizrenit – Dega në Suharekë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të pandehurës M.G, e dyshuar për aksidentin e së dielës në Shirokë të Suharekës, ku vdiqën dy persona.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka bërë të ditur zyrtari për informim i kësaj gjykate, Marcel Lekaj.

“Gjyqtari i procedurës Qemail Suka, me datë 30 prill 2024, ka marrë AKTVENDIM, është aprovuar kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurës M.G., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale: rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 par 9 (nëse vepra penale rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave ) lidhur me par. 6 ( nëse vepra penale kryhet nga pakujdesia) dhe 1 të KP-së”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Ndryshe, të dielën, Policia njoftoi se si pasojë e një aksidenti mes veturës dhe motoçikletës, ka ndërruar jetë personi që po drejtonte motoçikletën dhe bashkudhëtari i tij. Po ashtu, Policia njoftoi se e dyshuara është dërguar në mbajtje.

Kurse, përmes raportit 24 orësh, të hënën, Policia bëri të ditur se deri tek aksidenti dyshohet se erdhi pasi e dyshuara derisa ishte duke e drejtuar automjetin e saj, nga pakujdesia kalon në shiritin e kundërt të rrugës  dhe goditet me motoçikletën.