Vazhdon përplasja Rama – Haradinaj: Të vërtetën do ta them edhe nëse nuk i pëlqejnë dikujt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë ka folur për media.

Lajme

02/05/2019 11:59

Haradinaj ka folur për takimin në Berlin, ku ka theksuar edhe një herë se është diskutuar për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, raporton lajmi.net.

“Si Kosovë duhet të falënderojmë Macron dhe Merkel për këtë iniciativë. Pjesa kryesore i është kushtuar marrëdhënieve Kosovë Serbi. Kosova duhet tani të plotëson formatin e vet pasi bëhet fjalë për dialogun dhe marrëdhëniet Kosovë – Serbi, pra finalja është se qëndrimet janë formësuar. Nuk shkohet më për ndryshim të kufijve”, ka thënë ai.

Kryeministrit ka deklaruar se është konfirmuar pjesëmarrja e Kosovës në takimin e Parisit, për të cilin është thënë se do të mbahet më 1 ose 2 korrik të këtij viti. Në këtë takim Kosova sërish do të jetë tëma kryesore.

“Me rëndësi është të theksohet se ne kemi konfirmu pjesëmarrjen për takimin në Paris. Kam kërkuar edhe pjesëmarrjen e kolegëve të tjetër në Paris dhe Macrone e ka miratuar. Jemi në situata shumën më serioze dhe më të qëndrueshme”, është shprehur Haradinaj.

I pari i Qeverisë së Kosovës, ka komentuar edhe deklarata e Edi Ramës, i cili mbrëmë ka thënë se Haradinaj nuk e ka kuptuar ende një normë elementare të mirëkuptimit njerëzor, që sipas tij është edhe rregull udhëheqësish, që kur flasin diçka në mes vete, nuk i komentojnë ato në publik.

Haradinaj dje tha se Rama dhe Thaçi në Samitin e Berlinit i kishin bërë presion për heqjen e taksës.

“Kërkesa që me u pezullu taksa nuk është e re. As pozicioni im nuk është i ri, është i qëndrueshëm. Nuk ka pse mu diskutu. Për mu shqiptarët janë vëllezërit dhe motrat e mi. Të vërtetën do ta tregojë çdoherë edhe nëse nuk i pëlqejnë dikujt”, ka thënë mes tjerash kryeministri.

Tutje Haradinaj tha: Ato që kam thënë në intervistë ajo qëndron. Është më rëndësi që të kemi një qëndrim publik. Kosova është e qëndrueshme në qëndrimet e veta, pala që nuk qëndron në qëndrueshmëri dihet ku përfundon. Derisa Serbia nuk është gati të na njoh nuk kemi as na pse të mërzitemi. /Lajmi.net/