Vazhdon përplasja në distancë, Hoti i përgjigjet sërish akuzave të Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i është përgjigjur edhe njëherë kritikave të kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj për shuarjen e Taskë Forcës Speciale kundër korrupsionit.

Lajme

24/10/2020 17:53

Me anë të një postimi tjetër në Facebook, Hoti ka thënë se puna e zyrtarëve që kanë qenë në kuadër të asaj Taskë Force vazhdon pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit e korrupsionit, ashtu siç udhëzon Prokuroria Speciale, shkruan lajmi.net.

“Puna e zyrtarëve që kanë qenë në kuadër të Task Forcës në Policinë e Kosovës vazhdon pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale”, ka thënë ai.

Sipas tij, të gjithë këta zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore pa u penguar dhe pa ndërhyrje nga dikush tjetër.

“Të gjithë ata zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore sipas organizimit të brendshëm të Policisë së Kosovës pa asnjë ndërhyrje nga askush”, ka shkruajtur tutje kryeministri.

Madje, ka thënë se kushdo që ka dyshime për këtë, duhet të përdorë të gjitha mjetet ligjore për mbikëqyrjen dhe për të kërkuar sqarime për punën e secilit.

“Kushdo që ka dyshime për këtë, le të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar mbikëqyrje dhe sqarime për punën e secilit”, ka shkruar kryeministri.

Ky reagim i dytë i kryeministrit vjen pasi që kreu i AAK-së, akuzoi atë se Kushtetutën po e përdorë për interesa partiake.

Ky debat u nxit pas shuarjes së Departamentit Special Anti-Korrupsion, veprim për të cilin kanë reaguar edhe ambasadat e huaja. /Lajmi.net/