Vajza e prokurores që po heton zyrtarët e ministrisë së Pal Lekajt, kandidate për deputete nga AAK

Qe disa muaj Policia e Krimeve Ekonomike e ka përfunduar punën e vet rreth hetimit të tenderit multimilionësh për ndërtimin e autostradës së Gjilanit. Ky organ ka gjetur shkelje të ligjit nga ana e Ministrisë kur ka lidhur kontratë me kompanitë që po ndërtojnë këtë autostradë. Hetimi i ishte caktuar prokurores së Prokurorisë Speciale, Habibe Salihi.

Lajme

19/09/2019 15:18

Edhe pse kanë kaluar disa muaj që kur është ngritur kallëzimi penal, lajmi.net ka mësuar se asnjëri prej personave që ndodhen nën hetime nuk është intervistuar akoma nga prokurorja Salihu.

Dhurata Salihu mbanë numrin 96 në listën e AAK-PSD për deputetë të Kosovës. Ajo është kandidate e partisë së Ramush Haradinajt. Dhurata është vajza e prokurores e cila po heton zyrtarët e ministrisë që udhëhiqet nga Pal Lekaj i AAK-së.

Lajmi.net i është drejtuar zyrës së informimit të Prokurorisë për të kërkuar një sqarim nga Salihu lidhur me atë se deri ku kanë shkuar hetimet, dhe se cila është arsyeja që akoma nuk është intervistuar askush prej zyrtarëve të ministrisë lidhur më këtë çështje. Por, zyra e informimit të Prokurorisë nuk ka kthyer përgjigje.

Siç ka mësuar lajmi.net pjesë e hetimit janë 5 zyrtarë të ministrisë së Infrastrukturës, sekretari i Përgjithshëm, shefja e Prokurimit dhe dy anëtar të Komisionit vlerësues. Po ashtu, pjesë e këtij hetimi është edhe kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit. Me të marrë drejtimin e ministrisë, ministri Lekaj e kishte ngritur në pozitë sekretarin e ministrisë e ky e më pas e kishte marrë nga prokurimi i policisë shefen aktuale të prokurimit.

Në prill të këtij viti, Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës kishte thënë se Prokuroria është në fazën e grumbullimit të fakteve. “Ju informojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është në fazën e grumbullimit të informatave lidhur me këtë çështje. Për shkak se jemi ende në këtë fazë nuk mund të japim të dhëna tjera”, kishte thënë Lutfiu.

Ministria e Infrastrukturës me të cilën ka udhëhequr, Lutfi Zharku, në ditën fundit të punës, kishte vendosur që të shpallte fituesit e tenderit për ndërtimin e Autostradës A7.1 – Kryqëzimi në Disnivel R6/R7.1 (Banullë) deri te Dheu i Bardhë (kufiri me Serbinë). Fituesit u bënë publik më 11 shtator 2017, ndërsa më datë 12 shtator të të njëjtit vit, detyrën në këtë ministri e mori Pal Lekaj i AAK-së.

Tenderi ka qenë i ndarë në tetë lote (pjesë). Të gjitha lotet kapin shifrën rreth 100 milionë eurove. Më pas 12 kompani janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit –OSHP, dhe pas vlerësimit prej rreth tri javëve ky institucion shoshiti 181 oferta dhe e urdhëroi MI-në që lëndën ta kthejë në rivlerësim. Pas rivlerësimit ministria i ndërrojë kompanitë që i kishte shpallur ish-qeveria

Pas rivlerësimit, për kontratë nuk është rekomanduar asnjë nga kompanitë që ishte shpallur fituese në vlerësimin e parë. Pas rivlerësimit, del se “Autostrada e Gjilanit” do të kushtonte për rreth 11 milionë euro më lirë se sa ishte planifikuar  nga qeveria paraprake. Por, edhe pas rivlerësimit autostrada do të kushtojë rreth 22 milionë euro më shtrenjtë se sa ofertat më të ulëta që kanë qenë në garë për këtë projekt.

Megjithëkëtë, tenderi përsëri është rritur edhe për rreth 10 milionë euro, ngase, sipas ministrisë, kanë dal punë shtesë. Kohë pas kohë, ministria po i publikon në ueb faqen e KRPP-së punët shtesë dhe kontratat e nënshkruara. Dyshuese është se punët shtesë kanë dalë në të gjitha lotet në fazën fillestare dhe thuajse në të gjitha rreth 10 për qind, në limit të lejimit ligjor. /Mentor Buzhala -Lajmi.net/