“Sekretari na tha, nënshkruani se dikush po u pret jashtë me ju fut në gepek”

Prokuroria Speciale e Kosovës është në fazën përfundimtare të mbledhjes së fakteve lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në tenderin multimilionësh që ka të bëjë me ndërtimin e Autostradës së Gjilanit.

Lajme

26/07/2019 19:35

Javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Betim Reçica, i ka dërguar një letër ministrit Pal Lekaj, me të cilën e ka denoncuar zëvendësministrin Rexhep Kadriu për ndërhyrje dhe ndikim për ta favorizuar një kompani të caktuar për ta fituar tender. Por, dyshimet janë që vetë Sekretari i MIT,  ka ushtruar ndikimin e tij zyrtar në njërin prej tenderëve më të mëdhenj të ministrisë së Infrastrukturës, shkruan lajmi.net.

Para pak kohësh policia e krimeve ekonomike ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj disa personave në ministrinë e Infrastrukturës dhe të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Lajmi.net ka mësuar një deklaratë të dhënë të komisionit të fundit vlerësues të këtij tenderi që e kanë dhënë në hetuesi, deklaratë e cila është e përfshirë në kallëzimin penal.

Komisioni vlerësues ka qenë i përbërë prej tre anëtarëve të ministrisë, të cilët kanë qenë në përbërje prej: I.B, M.E, L.B. Ndërkohë, sekretari aktual i MIT, në atë kohë ka qenë ushtrues detyre i menaxherit të prokurimit në këtë ministri.

“Kemi qenë të detyruar ta vendosim nënshkrimin në rivlerësimin e dytë të tenderit, për shkak se Betim Reçica na ka thënë se, nëse nuk nënshkruhen, dikush po u pret jashtë dhe do t’u fus në gepek të kerrit”, thuhet në deklaratën e anëtarëve të komisionit vlerësues të tenderit “Ndërtimi i Autoudhes A7.1- Kryqëzimin në disnivel A6/A7 (Banullë) -Dheu i Bardhë -Pjesa: Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë)- Udhëkryqi “Bresallc”- L 22.31 KM”, me numër të prokurimit të brendshëm MI 170465511 dhe numër E-prokurimit: 205 -17 -2586 -5-1-1”, thuhet në deklarat.

Këtë rast është duke e hetuar prokurorja e Prokurorisë Speciale, Habibe Salihi.

“Ju informojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është në fazën e grumbullimit të informatave lidhur me këtë çështje. Për shkak se jemi ende në këtë fazë nuk mund të japim të dhëna tjera”, kishte thënë ditë më parë Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me hetimet për këtë tender, pa dashur të zbulojë detaje tjera.

Lajmi.net e ka kontaktuar njërin prej anëtarëve të Komisionit vlerësues, por ai ka refuzuar të përgjigjet lidhur me deklaratën e dhenë në hetuesi që ka të bëjë me Reçicën. Po ashtu, redaksia ka drejtuar pyetje edhe në adresë të ish menaxherit të prokurimit, tash sekretar në MIT, Betim Reçica, por i njëjti nuk ka dashur të përgjigjet lidhur më këtë çështje.

Fillimisht, ky tender që është i ndarë në 8 lote (pjesë) ishte lidhur me kompanitë fituese në ditën e fundit të qeverisë Isa Mustafa. Pastaj ka pasur ankesa nga kompanitë garuese dhe tenderi kishte shkuar në rivlerësim me ç’rast ishin ndërruar kompanitë.

Pas rivlerësimit, ankesë në OSHP, kishin parashtruar përsëri 11 kompani. Për të trajtuar ankesat e kompanive të cilat pretendonin që ishte shkelur ligji i prokurimit publik, në secilin lot, OSHP-ja e kishte caktuar ekspertin e vetë Hasim Krasniqi.

Lajmi.net e ka parë raportin prej 106 faqeve të cilin e kishte përpiluar Krasniqi. Ai ka gjetur shkelje të ligjit në secilin lot veç e veç.

“Eksperti shqyrtues bazuar në konstatimet e cekura në ekspertizë që Autoriteti Kontraktues -Ministria e Infrastrukturës, për aktivitetin e prokurimit: Ndërtimin e Autoudhes A7.1- Kryqëzimin në disnivel A6/A7 (Banullë) –Dheu i Bardhë -Pjesa: Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë)- Udhëkryqi “Bresallc”- L 22.31 KM”, me numër te prokurimit të brendshëm MI 170465511 dhe numër E-prokurimit: 205 -17 -2586 -5-1-1, nuk i ka respektuar në tërësi dispozitat e LPP-së dhe rregullat dytësore për prokurimin publik”, thuhet në vlerësimin e ekspertit.

Po ashtu në raport thuhet se, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që të gjitha ankesat e OE/konzorciumeve ankuese të pranohen si pjesërisht të bazuara. Eksperti shqyrtues i ka propozuar penalit shqyrtues  që ta anulojë vendimin e ministrisë për dhënie të kontratës për lot 1,2,3,4,5,5,6,7 dhe 8, dhe njëherësh propozon që ky aktivitet i prokurimit për të gjitha këto lote të kthehet në Rivlerësim. Gjithashtu eksperti shqyrtues i rekomandon AK-së, që gjatë rivlerësimit të ofertave të zbatohen në tërësi dispozitat e parapara në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit.

Pas këtij rasti kishte shkuar në Policinë e Krimeve Ekonomike, dhe ky institucion pas hetimeve disa mujore, kishte bërë kallëzim penal, pasi kishte konstatuar se ka elemente të veprës penale. /M.B -Lajmi.net/