Vajza e Jakup Krasniqit me mesazh para protestës: Heshtja e atyre që dikur ëndërruan lirinë me pranga në duar, është e pafalshme
Para protestës së paralajmëruar për sot në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, Gresa Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit, ka reaguar me një mesazh të fortë në Facebook. Ajo ka kritikuar ashpër ata që, sipas saj, kanë zgjedhur të heshtin përballë padrejtësive që po ndodhin në Gjykatën Speciale,…

Lajme
Para protestës së paralajmëruar për sot në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, Gresa Krasniqi, vajza e Jakup Krasniqit, ka reaguar me një mesazh të fortë në Facebook.
Ajo ka kritikuar ashpër ata që, sipas saj, kanë zgjedhur të heshtin përballë padrejtësive që po ndodhin në Gjykatën Speciale, duke theksuar se koha dhe historia nuk do të falin, raporton lajmi.net
“Koha nuk ndaloi, por as nuk do të na falë,” shkruan ajo, duke iu referuar mungesës së reagimit publik nga shumë figura që dikur ishin pjesë e luftës për liri.
Krasniqi shprehet se shumë ish-të burgosur nuk kanë vizituar kurrë shokët e tyre që sot ndodhen në paraburgim në Hagë, ndërsa të tjerë që dikur premtonin “uragan”, sot nuk kanë shkruar asnjë fjalë për padrejtësinë që po u bëhet.
“Sot, më e pakta që mund të bëjnë, është të protestojnë dhe të kërkojnë drejtësi,” shkruan ajo.
Gresa Krasniqi përfundon mesazhin e saj duke thënë se heshtja e atyre që dikur ëndërruan lirinë me pranga në duar është e pafalshme, ndërsa kujton se disa kanë harruar luftën e shenjtë për shkak të interesave personale që kanë errësuar interesin kombëtar.
Postimi i plotë:
Koha nuk ndaloi, por as nuk do të na falë.
Sepse për shkak të injorancës, inateve personale dhe luftës politike, shumëkush zgjodhi heshtjen.
Disa premtuan uragan, por nuk shkruan asnjë gërmë për padrejtësinë ndaj bashkëluftëtarëve të tyre.
Shumë ish-të burgosur nuk vizituan kurrë ish-shokët e qelive.
Sot, më e pakta që mund të bëjnë, është të protestojnë e të kërkojnë drejtësi.
Sepse koha nuk fal. Dhe historia, padyshim, do të ju lë pas, në harresën e saj.
Ashtu siç disa harruan luftën tonë të shenjtë, sepse interesi personal errësoi interesin kombëtar.
E kuptoj heshtjen e atyre që nuk sakrifikuan asnjë sekondë të jetës për liri.
Por heshtja e atyre që dikur ëndërruan lirinë me pranga në duar, është e pafalshme./Lajmi.net/