Ushtria do bëhet pa ndryshime kushtetuese, thotë Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Lajme
Haradinaj ka thënë në televizionin T7, se e ka kthyer prapa projektligjin për ushtrinë, pas mbërritjes së tij në tavolinën e tij.
“E kam kthyer ligjin. Ka qenë në Qeveri. E kam kthyer prapa, se ka paraparë ndryshime kushtetuese”, ka treguar Haradinaj.
Ai ka thënë se mungesa e dy të tretave të votave në Kuvend të Kosovës pamundëson ndryshimet kushtetuese.
Haradinaj ka theksuar se ka kërkuar që projektligji të ndryshohet, në mënyrë që ushtria e Kosovës të bëhet vetëm nëpërmjet ligjit.
Shefi i ekzekutivit të vendit ka thënë se për çështjen e ushtrisë s’mund të pritet pakufi.
Haradinaj ka theksuar se ushtria do të jetë “forcë e të gjithëve”, që do të ndihmojë për sigurinë e brendshme, por edhe për sigurinë e rajonit.
Ai ka thënë se kjo ushtri s’do ta zëvendësojë KFOR’in. “Mandati i KFOR’it mbetet i padiskutueshëm. Do ta përkrahim KFOR’in”, është shprehur Haradinaj.
Kryeministri i vendit ka thënë se nuk ka dilemë që opozita do ta përkrahë projektligjin për ushtrinë.
“Të gjithë janë për ta votuar ushtrinë e vendit”, është shprehur ai.
Haradinaj ka shprehur optimizmin e tij se “nuk do të shkojë gjatë” para se ky projektligj të miratohet në Kuvendin e Kosovës.