Ushtarëve të FSK-së u sigurohet qethja, Ministria e Mbrojtjes lidh kontratë mbi 9 mijë euro

Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar një kontratë publike kornizë për ofrimin e shërbimeve të qethjes për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me vlerë prej 9,375 eurosh. Sipas të dhënave të kontratës, shërbimet do të ofrohen në kazermat e FSK-së në Prishtinë dhe Ferizaj, si dhe në lokacionet e tjera ushtarake në vend, varësisht nga…

Lajme

29/08/2026 17:27

Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar një kontratë publike kornizë për ofrimin e shërbimeve të qethjes për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me vlerë prej 9,375 eurosh.

Sipas të dhënave të kontratës, shërbimet do të ofrohen në kazermat e FSK-së në Prishtinë dhe Ferizaj, si dhe në lokacionet e tjera ushtarake në vend, varësisht nga nevojat, transmeton lajmi.net.

Kontrata është fituar nga operatori ekonomik “Visar E. Limani B.I” dhe është paraparë të jetë në fuqi për 36 muaj.

Fillimisht, Ministria e Mbrojtjes kishte parashikuar një vlerë prej 15 mijë eurosh për këtë kontratë, ndërsa pas përfundimit të procedurës së prokurimit, kontrata është kurorëzuar me vlerë prej 9,375 eurosh.

Në dokumentet e tenderit thuhet se operatori i përzgjedhur duhet t’i realizojë shërbimet e qethjes në përputhje me specifikimet teknike dhe kushtet e përcaktuara nga Ministria e Mbrojtjes.

Kështu, për tre vitet e ardhshme, përveç pajisjeve, trajnimeve dhe detyrave të tyre të përditshme, pjesëtarët e FSK-së do të kenë të kontraktuara edhe shërbimet për mirëmbajtjen e pamjes së tyre ushtarake./lajmi.net/