Urimet e vonuara të Vetëvendosjes për Majlinda Kelmendin

14:16 | 8 Gusht 2016

Pas presioneve në rrjetet sociale, Lëvizja Vetëvendosje vendosi ta uroj Majlinda Kelmendin për medaljen e artë në Lojërat Olimpike.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! uron Majlinda Kelmendin për medaljen e artë, e cila është medalja e parë olimpike për Kosovën”, thuhet në një postim në facebook në faqen zyrtare të kësaj partie, transmeton lajmi.net

Ndonëse ky urim i VV-së vjen pas rreth 16 orë që nga përfundimi i përballjes së Kelmendit ku fitoi medaljen e artë, partia e Visar Ymerit thotë se ky lajm është i gëzueshëm “jo vetëm për dashamirët e sportit, por për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Urimi i VV-së duket të jetë i zbehtë dhe me thumba e kritika ndaj Qeverisë së Kosovës, sikurse në rastin kur ishte anëtarësuar Kosova në FIFA dhe UEFA.

“Pjesëmarrja e sportistëve tanë në Rio 2016 pa dyshim se është shans për ta që ta avancojnë sportin tonë, por në anën tjetër mbetet shqetësuese mungesa e përkrahjes për sportin nga Qeveria jonë”, thuhet tutje në këtë urim të vonuar në VV-së.

“Dëshirojmë të urojmë edhe sportistët e tjerë të Kosovës që po marrin pjesë në këto lojëra olimpike, duke iu dëshiruar suksese, dhe gjithnjë duke besuar që në të ardhmen të bëhet me shumë për sportin, e veçanërisht në drejtim të unifikimit të ligave dhe bashkëpunimit mes federatave në nivel kombëtar. Kjo do të ndikonte në rritjen e cilësisë së sportit dhe në suksese më të mëdha të sportistëve tanë”, përfundon VV-ja. /lajmi.net