Ura e Ibrit rikthehet në qendër të debatit, Kurti kërkon hapjen – takimi me komandantin e KFOR-it u anulua

Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë është rikthyer në qendër të vëmendjes politike, ndërsa debati për hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve është intensifikuar pas nisjes së reduktimit gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it në këtë urë. KFOR-i ka konfirmuar më herët se procesi i zvogëlimit të pranisë së përhershme në urën…

Lajme

22/08/2026 20:04

Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë është rikthyer në qendër të vëmendjes politike, ndërsa debati për hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve është intensifikuar pas nisjes së reduktimit gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it në këtë urë.

KFOR-i ka konfirmuar më herët se procesi i zvogëlimit të pranisë së përhershme në urën kryesore mbi Ibër ka nisur gradualisht, duke e lidhur këtë me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, transmeton lajmi.net.

Sipas misionit, ndryshimi i vendosjes po bëhet në koordinim me institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, ndërsa KFOR-i ka theksuar se do të vazhdojë të ketë prani të dukshme në Mitrovicën e Veriut dhe në pjesën veriore të Kosovës.

Në këtë situatë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është shprehur qartë në favor të hapjes së urës. Ai ka argumentuar se funksionalizimi i urave të reja në Mitrovicë e ka bërë të panevojshme vazhdimin e mbylljes së urës kryesore.

“Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, fakti që qytetarët tashmë qarkullojnë lirshëm në urat e reja, pa shtim të incidenteve apo tensioneve, tregon se zgjerimi i lirisë së lëvizjes mund të ndikojë pozitivisht edhe në ekonominë dhe në ruajtjen e paqes.

Kurti kishte paralajmëruar se këtë çështje do ta diskutonte me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutaş. Takimi ishte planifikuar të zhvillohej sot, por KFOR-i njoftoi më vonë se ai nuk u mbajt.

“Për shkak të rrethanave të paparashikuara, takimi i planifikuar sot ndërmjet Komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş, dhe z. Kurtit nuk u zhvillua”, njoftoi KFOR-i.

Misioni nuk dha detaje se cilat ishin këto rrethana, por theksoi se Ulutaş vazhdon të jetë në kontakt me bashkëbiseduesit kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

BE-ja: Ura duhet të hapet, por pas konsultimeve

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian ka përsëritur se nuk është kundër hapjes së urës. Megjithatë, Brukseli kërkon që një vendim i tillë të paraprihet nga vlerësimet e nevojshme dhe konsultime me palët relevante.

“Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë: pasi të kompletohen punimet në urën Austerlitz në Mitrovicë, si dhe vlerësimet dhe konsultimet shtesë, ura duhet të hapet”, ka deklaruar më herët BE-ja.

Nga Brukseli është kërkuar që procesi të zhvillohet përmes “konsultimeve kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, ka vënë theksin edhe te aspekti i sigurisë, duke kërkuar që Policia e Kosovës të sigurojë të gjitha komunitetet.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, ka thënë Hipper.

Edhe NATO-ja ka bërë të ditur se një vendim për hapjen e urës për automjete duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve në atë pjesë të Kosovës.

Ndërkohë, vetë KFOR-i ka bërë të qartë se procesi i ndryshimit të pranisë në urë nuk është domosdoshmërisht i pakthyeshëm. Sipas misionit, riorganizimi po bëhet gradualisht dhe në bazë të kushteve të sigurisë në terren.

Beogradi kundërshton hapjen

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vazhdon ta kundërshtojë hapjen e urës për automjete. Ai ka paralajmëruar se këtë çështje do ta diskutojë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Kështu, çështja e Urës së Ibrit tashmë ndodhet në një pikë të re: Prishtina kërkon hapjen e saj, BE-ja e konsideron hapjen si objektiv, por kërkon konsultime dhe garanci për sigurinë, ndërsa Beogradi e kundërshton atë.

Në mes të këtyre qëndrimeve mbetet KFOR-i, i cili po redukton gradualisht praninë e përhershme në urë, por thotë se vazhdon të monitorojë situatën dhe të jetë i gatshëm të reagojë nëse rrethanat e sigurisë ndryshojnë./lajmi.net/