KFOR-i anulon takimin me Kurtin për çështjen e urës mbi Ibër

KFOR-i ka bërë të ditur se takimi i paraparë ndërmjet komandantit të misionit, gjeneralmajor Ozkan Ulutaş, dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, nuk është mbajtur. Sipas KFOR-it, takimi i planifikuar për sot është anuluar për shkak të rrethanave të paparashikuara, ndërsa misioni i NATO-s ka theksuar se komandanti Ulutaş vazhdon komunikimin me përfaqësuesit…

Lajme

22/08/2026 18:05

KFOR-i ka bërë të ditur se takimi i paraparë ndërmjet komandantit të misionit, gjeneralmajor Ozkan Ulutaş, dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, nuk është mbajtur.

Sipas KFOR-it, takimi i planifikuar për sot është anuluar për shkak të rrethanave të paparashikuara, ndërsa misioni i NATO-s ka theksuar se komandanti Ulutaş vazhdon komunikimin me përfaqësuesit kryesorë institucionalë në Kosovë, transmeton lajmi.net.

“Për shkak të rrethanave të paparashikuara, takimi i planifikuar sot ndërmjet Komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Ulutaş, dhe z. Kurtit nuk u zhvillua”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Në njoftim nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me natyrën e rrethanave që çuan në mosmbajtjen e takimit.

KFOR-i ka nënvizuar se, pavarësisht mosrealizimit të takimit, komandanti i misionit mbetet në kontakt me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë zyrtarët dhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

“Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë”, thuhet më tej.

Ndërkohë, misioni ka bërë të ditur se aktivitetet e tij të zakonshme po vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës.

“KFOR-i vazhdon aktivitetet e tij të përditshme në të gjithë Kosovën, me qëllim të ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet”, thuhet në komunikatë.

KFOR-i thekson se veprimtaria e tij zhvillohet në përputhje me mandatin e përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999./lajmi.net/