“Unë ende nuk po shoh që kanë ardhë ekipe emergjente këtu”, Kuka reagon pas vërshimeve në Pejë

Trajneri i xhudos, Driton Kuka për ‘KosovaPress’ foli për gjendjen në Pejë pas vërshimeve të djeshme, me ç’rast bëri apel që sa më shpejt ekipet emergjente të shkojnë atje për të ndihmuar qytetarët. Situatën e krijuar ai e quajti të keqe, derisa tregoi se vendi u përfshi nga uji shumë shpejt. Kuka: Apel që sa…

Sport

25/06/2023 16:25

Trajneri i xhudos, Driton Kuka për ‘KosovaPress’ foli për gjendjen në Pejë pas vërshimeve të djeshme, me ç’rast bëri apel që sa më shpejt ekipet emergjente të shkojnë atje për të ndihmuar qytetarët.

Situatën e krijuar ai e quajti të keqe, derisa tregoi se vendi u përfshi nga uji shumë shpejt.

Kuka: Apel që sa më shpejt ekipet emergjente me ardhë, sepse ka njerëz që janë në gjendje vështirë

“Dëmet materiale janë të mëdha siç po shihet dhe kisha bërë apel që sa më shpejtë ekipet emergjente me ardhë, sepse ka njerëz që janë në gjendje jashtëzakonisht të vështirë. E veçanta është se ka ndodhur një tragjedi e familjes që jeton këtu afër nesh. Po shpresoj me kaq të përfundoj, kohë jashtëzakonisht e keqe. Çdo gjë ka ndodhur shumë shpejt, për rreth gjysmë ore këtu ka qenë si me ardhë një lum prej dika, diçka e papritur”, theksoi Kuka.

Ai tha se për raste të tilla nuk ka ditë pushimi, derisa tregoi se nuk ka energji elektrike e në disa shtëpi as ujë.

Kuka: Këtu nuk ka as rrymë, e në disa shtëpi nuk kanë as ujë

“Unë ende nuk po shoh që kanë ardhë ekipe emergjente këtu…Për pjesën e emergjencës që do doja shumë të shoh këtu njerëz dhe makineri, sepse nuk duhet të pritet dita e hënë në raste të tilla…Përkundër që njerëzit po bëjnë apel, po i shoh edhe klasa politike, por më të vertetë në këso raste nuk ka ditë pushimi. Këtu nuk ka as rrymë, e në disa shtëpi nuk kanë as ujë, është pak problem me mbijetu”, vijoi Kuka.

Ai kërkoi që të rregullohet gjendja, derisa tha se askush nuk u angazhua seriozisht.

Kuka: Të rikuperohet gjendja, askush nuk është angazhuar seriozisht

“Ajo çfarë është tash e rëndësishme, është rikuperimi i kësaj gjendje, sepse po e shoh që askush nuk është angazhuar seriozisht. Këtu tash duhet të ketë shumë kamiona e bagera duke punuar ta pastrojnë sepse janë mbi 30 vetura nëpër prrockën që kanë ra”, shtoi Kuka.

Mbrëmë, një grua dhe djali i saj 5-vjeçar vdiqën si pasojë e vërshimeve në Pejë. Policia informoi se pas vdekjes së 5-vjeçarit, në lagjen “Asllan qeshme”, u gjet e vdekur edhe nëna e tij, e cila ishte e zhdukur.