Unaza e jashtme e Prishtinës | Përplasje e ashpër mes Ramës, Ismailit e Çekut: “Po merret vota me diçka që nuk ka me u realizu”
Unaza e jashtme e Prishtinës, një ndër projektet më të mëdha të premtuara për kryeqytetin, u bë temë e debatit të ashpër mes Uran Ismailit (PDK) dhe Përparim Ramës (LDK), gjatë përballjes së kandidatëve për kryetar të Prishtinës në emisionin Debat Plus. Kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, e cilësoi projektin si të parealizueshëm në praktikë,…

Lajme
Unaza e jashtme e Prishtinës, një ndër projektet më të mëdha të premtuara për kryeqytetin, u bë temë e debatit të ashpër mes Uran Ismailit (PDK) dhe Përparim Ramës (LDK), gjatë përballjes së kandidatëve për kryetar të Prishtinës në emisionin Debat Plus.
Kandidati i PDK-së, Uran Ismaili, e cilësoi projektin si të parealizueshëm në praktikë, duke thënë se as kandidatët aktualë, as vetë komuna, nuk e kanë kapacitetin buxhetor për një ndërmarrje të tillë, transmeton lajmi.net.
“Unaza e jashtme është një projekt që as z. Rama e as z. Çeku nuk e kanë kapacitetin me realizu. Prishtina nuk i ka 500 apo 400 milionë euro buxhet për ta përfunduar. A është një projekt i mirë? Po. Por po kërkohet vota për diçka që s’do të realizohet,” tha Ismaili, duke e krahasuar këtë qasje me premtimet e pambajtura të 25 viteve të fundit.
Në përgjigje, Përparim Rama i LDK-së e akuzoi Ismailin për mungesë vizioni dhe besimi në projekte madhore, duke deklaruar se unaza e jashtme është përfunduar në aspektin projektues dhe se pengesa për zbatimin e saj ka ardhur nga niveli qendror.
“I duket utopi Uranit. Por kjo nuk është utopi. Projekti i parë që e kemi përfunduar është unaza e jashtme, sepse është kyçe për qytetin. 40 përqind e buxhetit ka qenë e ndarë për të. Por ministri Hekuran Murati nuk e ka nënshkruar marrëveshjen vetëm sepse ka qenë projekt i Përparim Ramës. Kjo është mendësi e ngushtë e tyre” tha Rama.
Ismaili replikoi duke thënë se, kur dikush nuk dëshiron apo nuk di të zgjidhë probleme, gjen arsyetime pafund.
“Kur nuk do e nuk di me zgjidh probleme, arsyetime ka sa të duash,” tha ai.
Pjesë nga debati:
Uran Ismaili: “Unaza e jashtme është një projekt që as z.Rama e z.Çeku nuk e kanë kapacitetin me realizu, as Prishtina nuk i ka 500M euro, 400M euro buxhet që me realizu. A është një projekt i mirë? Po! Po merret vota me diçka që nuk ka me u realizu. 25 vjeçari i fundit ka qenë kështu”
Përparim Rama: “A të foli unë tash, a po i do 30 sekonda, 1 orë edhe sa po i do?”
Uran Ismaili: “S’ki nevoj me më dëgju. Unaza e jashtme nuk qëndron në parashikimet buxhetore të Prishtinës”
Përparim Rama: “I duket utopi Uranit. Këto janë nuk janë utopi. Projekti i parë që e kemi përfundu është unaza e jashtme sepse është kyqe. 40 përqind të i kemi pasur të dedikuara, fal, nuk e ka nënshkru ministri Hekuran Murati duke thënë pse me ja financu premtimet Përparim Ramës. Kjo është mendësia e ngushtë e njerëzve të tillë.”
Uran Ismaili: “Kur nuk do e nuk di me zgjidh probleme, arsyetime ka sa të duash”./lajmi.net/