Ukraina, në betejë për të ardhmen e saj

Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar të martën se Rusia duhet “të flasë sa më pak” dhe “të veprojë në terren”. Duke thënë se Kievi nuk është e vetme, Biden ka kërkuar nga Moska zyrtare që të ushtrojë ndikimin e saj ndaj rebelëve prorus, të cilët po përpiqen të destabilizojnë Ukrainën.

Bota

22/04/2014 15:45

Këto komente Biden i  bëri në kryeqytetin ukrainas, Kiev, pas bisedimeve me kryeministrin e Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk.

“ Ukraina është në betejë për të ardhmen e saj, por ukrainasit nuk do të ecin të vetmuar në këtë rrugë”, ka thënë nënpresidenti amerikan.

 Biden ka thënë se ekzistojnë disa qarqe që po përpiqen ta ndajnë Ukrainën, porse ky vend sipas tij është dhe do të mbetet një shtet i bashkuar.

“Është koha që Rusia ta filloj përmbushjen e përkushtimeve të veta nga marrëveshja e Gjenevës, për ta përfunduar krizën në pjesën lindore të Ukrainës. Pra është koha që Rusia të mos flasë shumë, por të veprojë në terren, sepse ne nuk do të lejojmë që ndarja e Ukrainës të shndërrohet në një proces të pakufizuar”, tha Biden.

 Nga na tjetër, kryeministri ukrainas,  Yatsenyuk, pas takimit me nënpresidentin amerikan, ka thënë se zgjedhjet presidenciale në Ukrainë duhet të zhvillohen ashtu siç është paraparë, muajin e ardhshëm.

Yatsenyuk  ka thënë se Ukrainës i duhet një president i zgjedhur në mënyrë legjitime, edhe pse sipas tij, këtë skenar nuk e dëshiron Rusia.

Protestat që shpërthyen në Ukrainë muaj më parë kundër presidentit anti-evropian, Viktor Yanukovich, çuan deri tek ndarja e Krimesë, dhe bashkimit të saj me Rusinë, ndërkohë që rebelët prorus të nxitur  nga Moska zyrtare po përpiqen të aneksojnë edhe një pjesë tjetër të këtij vendi, në rajonin e Donetsk-ut.