UFO-t në Shqipëri, nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit qe në vitet ’60!?

Studimet dhe shkrimet ufologjike qenë të përhapura mjaft në botën jashtë Shqipërisë së izoluar. Studimet dhe dosjEt e hapura për këtë fenomen në Shqipëri, ruheshin nën siglen “Top secret”. Sigurimi i Shtetit kishte caktuar personel të specializuar për hetimet e fenomeneve të ndryshme të dyshuara ufologjike. Pas shumë viteve, rreth këtij problemi sjell dëshmi të rralla Ben Shehu, me librin e tij “Ata nuk duhet ta dinë”.

Fun

02/03/2017 21:16

Është ky një roman hibrid ku ngjarjet reale të kërkimeve të fenomenit të UFO-ve në Shqipëri ndërthuren me aksionin e përbashkët – fillimisht të policive sekrete ruse dhe shqiptare, respektivisht KGB-së dhe Sigurimi i Shtetit. Dhe, më pas pjesa kur mes tyre ndodh përplasja e fshehjes së sekreteve.

Autori i librit është bazuar në dokumente të rëna në dorë, rastësisht, nga një bllok shënimesh tip ditari, të gjetur në kasafortën e babait te tij në shtëpi, i cili kishte bërë pjesë në nomenklaturën e oficerëve madhorë të Sigurimit të Shtetit, shkruan Shqiptarja.

Në një kapitull, kur në kufi me shtetin jugosllav në zonën e Kukësit ka ndodhur një ngjarje e rëndë, autori paraqet një detaj bisede me oficerin vendas dhe kolonelin sovjetik të KGB-së në Shqipëri, i cili i tregon oficerit protagonist të romanit se në B. S është ngritur një grup shkencëtarësh dhe arkeologësh që varen direkt nga KGB-ja. Madje oficeri shqiptar mëson nga koloneli se KGB kishte një interesim të madh për arkeologjinë misterioze dhe se një nga personat më me famë i kësaj arkeologjie ishte një amerikan, Zacharia Sitchin – mbrojtës i teorisë së astronautëve të antikitetit. Madje koloneli i bën me dije oficerit të ri shqiptar se shërbimet ruse kanë informacion se në një raport te FBI- së vitit 1947, është konfirmuar se në Shqipëri ka pasur vizita alienësh.

Autori në romanin “Ata nuk duhet ta dinë” trajton shumë aspekte të ardhjes së UFO-ve dhe zbritjes së alienëve në disa zona të Shqipërisë, si në Skrapar, Kukës, Kavajë, Mirditë dhe Vlorë. Është e habitshme mënyra e bashkërendimit të ngjarjeve me alienë dhe me veprimet e oficerëve të Ministrisë së Brendshme në vitet 1959-1960, gjëra që koordinojnë me njoftimin e fragmentit për Cërrikun kur flitet për mashtrimin që iu bë banorëve të atij qyteti të vogël. Në këtë rast është thënë se objekti fluturues nuk ishte ashtu siç mendonin ata, por një “aeroplan i tipit të ri i hedhur në ajër nga Shqipëria”.

Ylli Bare, me profesion kapiten anije, ka shkruar rreth pesë libra me tregime. Është me origjinë nga Skrapari. Ai thotë se një nga episodet e romanit të Benit, ku flitet për aksidentin e avionit MIG në Skrapar, ka ndodhur vërtetë: “Për atë periudhë kanë folur shpesh prindërit e mi”. Bare thotë se qe përhapur si lajm i turbullt se aeroplani ishte goditur nga arma sekrete e NATO-s nga Greqia.

Dokumenti i parë për UFO- t në Shqipëri është ditari i Heroit te popullit Mihal Grameno. Në kujtimet e tij rreth çetës së Çerçiz Topullit, Grameno shkruan: “Një natë teksa luftëtarët e Çerçizit kishin ngritur një limer majë një bjeshke të lartë, na fluturoi përpara një objekt shkëlqyes që qëndroi disa minuta pezull në ajër dhe pastaj u zhduk”. Ndërkaq, raporti i datës 18 Korrik 1947 i Agjencisë Federale të Hetimeve (FBI) thekson: “Disqe fluturuese janë parë në Mexico City, New Orleans, Halifax, Newfoundland, Paris, Milan, Bolonjë, Jugosllavi dhe gjithashtu edhe në Shqipëri”.