“UBO Consulting” para një muaji e sulmuar nga Kurti e Peci për EXIT POLL-et, sot ministria e Sveçlës nënshkruan kontratë mijëra euroshe me të

Kompania e shumëkritikuar nga pushteti, “UBO Consulting”, ka nënshkruar sot një kontratë me ministrinë e Punëve të Brendshme, institucion ky nën udhëheqjen e ministrit në detyrë, Xhelal Sveçla. Kontrata është për “Hulumtime të opinionit të qytetarëve lidhur me fushën e sigurisë së brendshme” – tender për të cilin ishin parashikuar 50. 000 euro, por vlera…

Lajme

05/12/2025 11:33

Kompania e shumëkritikuar nga pushteti, “UBO Consulting”, ka nënshkruar sot një kontratë me ministrinë e Punëve të Brendshme, institucion ky nën udhëheqjen e ministrit në detyrë, Xhelal Sveçla.

Kontrata është për “Hulumtime të opinionit të qytetarëve lidhur me fushën e sigurisë së brendshme” – tender për të cilin ishin parashikuar 50. 000 euro, por vlera përfundimtare pas procedurës së prokurimit ra në 28, 800 euro, percjellë lajmi.net.

Sipas marrëveshjes, UBO Consulting do të duhet të realizojë rreth 7 200 anketa – pyetësorë për opinionin e qytetarëve në lidhje me sigurinë e brendshme. Ministria pati pranuar dy aplikime, por vetëm UBO u shpall si fituese.

Kjo e fundit ka qenë në qendër të kritikave dhe sulmeve nga partia në pushtet, pas publikimit të EXIT POLL‑eve për zgjedhjet lokale më 12 tetor.

Ndërsa fituan kritika të ashpra, përfshirë paralajmërime për padi nga figura të ndryshme të pushtetit, tash UBO është përzgjedhur për të kryer punë me fond publik.

Madje vetë Albin Kurti pati deklaruar se nuk ishte një gabim teknik, por një veprim i paramenduar për të ndikuar në procesin zgjedhor. Ai e quajti publikimin e të dhënave “postim të lajmeve të rreme ende pa u mbyllur vendvotimet”, duke e cilësuar këtë si ndërhyrje flagrante.

“Ajo çka ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një huqje, por për një inxhiniering të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. EXIT POLL-et e prezantuara gabimisht me 16 pikë përqindjeje dallim, e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjesht një huqje. Kjo është cenim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit e i sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e drejtësisë dhe të sigurisë që të merren me këtë çështje”, kishte thënë Kurti në një konferencë për media.

Exit Poll-et e realizuar i kishte sulmuar fort edhe Peci.

Pra, kompania e njëjtë që qeveria e Kurtit dikur e akuzonte për manipulim të procesit zgjedhor, sot shpërblehet me një kontratë trevjeçare për matje të opinionit, pikërisht të opinionit për fushën e sigurisë, që drejtohet nga një ministër i VV-së./Lajmi.net/