“U soll me shenja jete, në gjendje të rëndë politraume dhe e pavetëdijshme” – Spitali tregon si erdhi pacientja nga rasti te Ura e Moglicës

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka dhënë sqarime lidhur me rastin tragjik të një gruaje që dyshohet se ra nga Ura e Moglicës. Sipas njoftimit zyrtar, pacientja është sjellë në urgjencë më 21 mars 2026, rreth orës 20:15, nga ekipi i Mjekësisë Familjare, në gjendje tepër të rëndë dhe pa vetëdije, me lëndime…

Lajme

21/03/2026 23:51

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka dhënë sqarime lidhur me rastin tragjik të një gruaje që dyshohet se ra nga Ura e Moglicës.

Sipas njoftimit zyrtar, pacientja është sjellë në urgjencë më 21 mars 2026, rreth orës 20:15, nga ekipi i Mjekësisë Familjare, në gjendje tepër të rëndë dhe pa vetëdije, me lëndime të shumta trupore, transmeton lajmi.net.

Mjekët bëjnë të ditur se në momentin e pranimit, ajo kishte gjendje kritike shëndetësore dhe tension shumë të lartë arterial. Menjëherë pas pranimit, stafi ka ndërhyrë me procedura emergjente, duke përfshirë intubimin dhe reanimimin kardiopulmonar.

Pavarësisht përpjekjeve intensive për ta stabilizuar, pacientja nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë rreth orës 21:20.

Më pas, rreth orës 22:00, me ndihmën e Policisë së Kosovës është bërë identifikimi i viktimës.

Nga spitali kanë shprehur keqardhje për ngjarjen dhe u kanë dërguar ngushëllime familjarëve të së ndjerës, ndërsa rasti mbetet në trajtim nga organet kompetente.

Komunikata e plotë: 

KOMUNIKATË PËR MEDIA
(lidhur me rastin te “Ura e Moglicës”)
Më datë 21.03.2026, rreth orës 20:15, në Shërbimin e Emergjencës në Spital është sjellë nga ekipi i Urgjencës së Mjekësisë Familjare një paciente femër, me shenja jete, në gjendje të rëndë politraume dhe e pavetëdijshme.
Në momentin e pranimit, pacientja paraqitej në gjendje të rëndë të përgjithshme, me tension arterial 210/100 mmHg.
Ekipi mjekësor ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat emergjente sipas protokolleve në fuqi, përfshirë intubimin endotrakeal dhe fillimin e reanimimit kardiopulmonar (RKP).
Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit dhe reanimimit të vazhdueshëm, pacientja nuk ka reaguar ndaj terapisë dhe ka ndërruar jetë në orën 21:20.
Rreth orës 22:00, me asistencën e Policisë së Kosovës, është bërë identifikimi i pacientes.
Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” shpreh keqardhje për këtë rast dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të së ndjerës./lajmi.net/