U manipulua vullneti i tyre, qytetarët kërkojnë që keqpërdoruesit e votave të japin llogari para drejtësisë
Qytetarë e kanë cilësuar situatën shqetësuese për dyshimet për manipulime të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke kërkuar përgjegjësi ligjore për të gjithë ata që kanë cenuar procesin zgjedhor. Arben Hoxha nga Prishtina thotë se nëse ka pasur vjedhje të votave, institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesa. “Nëse janë vjedhur votat, këtu…
Lajme
Qytetarë e kanë cilësuar situatën shqetësuese për dyshimet për manipulime të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke kërkuar përgjegjësi ligjore për të gjithë ata që kanë cenuar procesin zgjedhor.
Arben Hoxha nga Prishtina thotë se nëse ka pasur vjedhje të votave, institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesa.
“Nëse janë vjedhur votat, këtu ka punë gjykata dhe prokuroria. Ata që i kanë shkaktuar këto vjedhje duhet të përgjigjen para drejtësisë. Këto zgjedhje është mirë sa më shpejt të rregullohen, sepse Kosova nuk ka nevojë për vakum institucional. Kjo është diçka tepër gabim, sepse kështu e kemi dëshpëruar shumë keq bashkësinë ndërkombëtare, sidomos amerikanët, gjermanët dhe anglezët, të cilët janë dëshpëruar me ne, pasi na kanë njohur si shtet”, thotë Hoxha.
Ai thekson se Kosovës po i mungon vetëdija shtetërore dhe se kjo po e pengon zhvillimin e vendit.
“Neve, për fat të keq, po na mungon vetëdija shtetërore dhe kjo nuk na çon përpara aspak. Na duhet t’i marrim shembull amerikanët që kanë Kushtetutë prej 300 vjetësh, anglezët që kanë parlament prej 800 vjetësh, ndërsa ne nuk jemi në gjendje as një palë zgjedhje t’i realizojmë. Kjo është mjerim dhe tmerr për neve”, shprehet ai.
Sipas tij, të gjithë përgjegjësit për manipulimin e votave duhet të dalin para organeve të drejtësisë.
“Sa i përket vjedhjes së votave, ata që i kanë shkaktuar këto probleme duhet të dalin para gjyqtarit, hetuesit dhe prokurorit. Policia duhet t’i arrestojë. Vota është e lirë, e pavarur dhe demokratike, duhet të respektohet ligji dhe Kushtetuta, duhet të kemi vetëdije shtetërore”, thekson Hoxha.
Edhe Ismet Gegaj për Ekonomia Online vlerëson se manipulimi i votës së lirë përbën një dëm të madh për demokracinë.
“Sigurisht që një akt i tillë ka shkaktuar dëm të madh, sepse është keqpërdorur vota e lirë. Një gjë e tillë nuk ka guxuar të ndodhë, sepse vota është shprehje e lirë e qytetarëve dhe ajo që ka ndodhur është vërtet për t’u gjykuar”, thotë Gegaj.
Ai fajëson komisionerët dhe grupe të caktuara individësh për situatën e krijuar.
“Faji mbetet jetim, por fajin sigurisht e bartin komisionerët dhe grupe të caktuara individësh, madje edhe vetë disa nga ata që kanë konkurruar dhe bartësit e funksioneve. Për mua kjo është skandaloze, një skandal i madh, sepse vota e lirë është e drejtë njerëzore ndërkombëtare. Nëse keqpërdoret vota, kjo me të vërtetë është skandaloze”, shprehet ai.
Ndërkaq, Halil Islami për Ekonomia Online thotë se vjedhja e votës është shkelje e rëndë e të drejtës së qytetarëve dhe duhet të ndëshkohet ashpër.
“Kuptohet me siguri që votat janë vjedhur, sepse me ia shkel popullit dhe me ia montuar votën e drejtës që i takon është shumë e keqe dhe shumë e rëndë. Kjo mund të dënohet deri në gjashtë vite”, thotë Islami.
Ai shton se, sipas tij, manipulimet zgjedhore kanë ndodhur edhe më herët.
“Herave të tjera ne kemi dalë me votu atë që kemi votuar deri tash, dhe votat i kanë pasur PDK, LDK dhe AAK. 80 mijë vota ia kanë vjedhur Albin Kurtit, që pastaj ia kanë hequr tetë deputetë pa ardhur zgjedhjet. Populli nuk e di se ku e kanë marrë atë të drejtë apo guxim me votuar kundër popullit dhe kundër shtetit. Nuk guxon askush, nuk ka ligj në botë që vepron si këta individë. Populli vendos, populli voton dhe askush nuk ka të drejtë t’i keqpërdorë dokumentet e popullit”, shprehet ai.
Dyshimet për keqpërdorimin e 68 mijë votave të kandidatëve për deputetë në Prizren, kanë vënë më 23 janar në lëvizje Prokurorinë Themelore të këtij rajoni. Në një aksion të saj gjatë ditës janë arrestuar 109 komisionerë si të dyshuar për manipulim të votave. Në mesin e tyre ka edhe familjarë dhe persona të afër të kandidatëve, të cilët janë dërguar në mbajtje. Pos për falsifikim të rezultateve të votimit, ata dyshohen edhe për dy vepra të tjera penale.