“U dakorduan familjet që gruaja të kthehet në shtëpi”-“E goditi me peshqir në trup, e tërhoqi zvarrë derisa vajza bërtiste o bab boll”-Vendimi i plotë i Apelit për Astrit Isufin
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur të enjten e kaluar në Malishevë. Dy vëllezërit Morina u vranë nga arma e zjarrit me të cilin shkrepi i dyshuari Astrit Isufi , dhëndër i tyre. Ngjarja e rëndë preku rëndë dy familjet, Morina dhe Isufi që prej vitesh kishin lidhje familjare. Driton dhe Naim Morina u vranë në…
Lajme
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur të enjten e kaluar në Malishevë.
Dy vëllezërit Morina u vranë nga arma e zjarrit me të cilin shkrepi i dyshuari Astrit Isufi , dhëndër i tyre.
Ngjarja e rëndë preku rëndë dy familjet, Morina dhe Isufi që prej vitesh kishin lidhje familjare. Driton dhe Naim Morina u vranë në derë të shtëpisë, tri ditë nga përfundimi i të pameve për babin e tyre.
Dyshja parashihej që të largoheshin nga Kosova përgjatë këtyre ditëve pasi nuk jetonin këtu, por ngjarja tragjike u dha një kthesë tjetër familjarëve të tyre.
Si fillim, Astrit Isufi arriti që të arratiset nga vendi i ngjarjes, por të nesërmen rreth orës 06:30 u arrestua nga Policia në një shtëpi të braktisur në fshatin Plloqicë të kësaj komune.
Pas arrestimit ai u dërgua për trajtim mjekësor në QKUK, në lidhje me plagët që kishte marrë nga arma e zjarrit në pjesën abdonimanale apo njohur ndryshe si pjesa e stomakut.
Por Astrit Isufi ishte emër i njohur për hetuesinë. Lajmi.net raportoi në të njëjtën ditë se Isufi akuzohej në muajin prill për dhunë në familje dhe kanosje.
Kjo gjë u konfirmua edhe nga Prokuroria si dhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Por Isufi kishte qëndruar pak në burg. I njëjti kishte rrahur disa herë radhazi bashkëshorten e tij e të njëjtën e kishte kërcënuar që në rast të ndarjes do t’ia vrasë të gjithë anëtarët e familjes.
Dhunën e përdorur ndaj gruas së tij e kishin parë edhe fëmijët, që ishin dëshmitarë të disa rasteve të ndryshme kur ai e rrahu atë në forma të ndryshme. Gruaja pas disa mosmarrëveshjeve e vendimeve, ishte kthyer në shtëpinë e tyre në Drenas derisa ai ishte në burg, për t’u kujdesur për fëmijët e që të njëjti të mos e ndalnin shkollimin (e gjithë kjo sipas dosjes së Prokurorisë).
Por vendimin që masa dënuese ndaj Astrit Isufit të ndryshohej ishte marrë nga Gjykata e Apelit. Kjo u konfirmua edhe nga vetë gjykata në një përgjigje të dhënë për lajmi.net ku thuhet se më 26.06.2025 gjykata mori vendim që të ndryshojë aktgjykimin e nxjerrë nga Themelorja më 16 prill 2025.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se Gjykata e Apelit me Aktgjykimin PA1.nr.954/2025 të datës 26.06.2025 e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Dega Gllogoc me numër P.nr.83/2025 të datës 16.04.2025”.
Në vendimin e siguruar nga lajmi theksohet se të akuzuarit Astrit Isufi për shkak të veprës penale “Dhunë në familje” i përcakton dënim me burg në kohëzgjatje prej tre muajsh dhe dënim me gjobë prej 300 euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 90 dite pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, ndërsa për veprën penale “kanosje” i përcakton dënim me gjobë prej 500 euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 90 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 06.04.2025 e tutje, por jo më tepër se dënimi i shqiptuar. Dënim unik me gjobë në shumë prej 800 euro i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 90 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në rast se i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë në afatin e caktuar nga gjykata, gjykata do të veproj sipas nenit , me zëvendësimin e dënimit me gjobë me dënim me burgim, ku njëzet euro të dënimit me gjobë i llogaritet më një ditë burgim”, thuhej në aktgjykim.
E si fillim, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur që të akuzuarin Isufi ta shpallë fajtor për shkak të veprës penale “Dhunë në familje dhe kanosje”, me dënim me burgim prej 154 ditësh dhe gjobë prej 800 euro.
“Për veprën penale si në p ikën II të aktakuzës dënim me gjobë prej 500 euro, i cili dënim do ekzekutohet në afat prej 90 dite pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”.
“Dënim unik me gjobë në shumë prej 800 (tetëqind euro, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 90 dite pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në rast se i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë në afatin e caktuar nga gjykata, gjykata do të veproj sipas nenit 43 par.3 të KPRK-së, me zëvendësimin e dënimit me gjobë me dënim me burgim, ku njëzet (20) euro të dënimit me gjobë llogariten me një (1) ditë burgim. Është detyruar i akuzuari që në emër të kompensimit të viktimave të krimit të paguajë shumën prej njëzet euro (20), si dhe në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej pesëdhjetë euro (50), të gjitha këto në afat prej 15 ditësh prej ditës së marrjes së formës së prerë të këtij aktgjykimi nën kërcënimin e ekzekutimit të detyrueshëm. Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil. Kundër këtij aktgjykimi në afatin ligjor ankesë ka paraqitur”, në vendimin e Themelores.
E në arsyetimin e Apelit thuhej se mbrojtësi i të akuzuarit, Isufi, avokati Muhamet Binaku për shkak të vendimit lidhur me sanksionet penale i ka propozuar gjykatës të aprovokohet ankesa, aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet po ashtu që ndaj të akuzuarit t’i shqiptohet dënim me kusht ose t’i zëvendësohet dënimi me burg me dënim me gjobë.
Gjithashtu aty ceket se përfaqësuesi i palës së dëmtuar në këtë rast ka deklaruar se e dëmtuara, I.M (emër i njohur për redaksinë) është kthyer në shtëpinë e përbashkët me marrëveshje të të3 dyja familjeve.
“Përgjigje në ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit ka paraqitur përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar F.M me pretendim dhe njoftim se e dëmtuara I.M është kthyer në shtëpinë e përbashkët në Komoran tek fëmijët me datë 22.04.2025 më marrëveshje të të dyja familjeve, asaj të të akuzuarit dhe të dëmtuarës, me propozim që Gjykata e Apelit aktgjykimin e ka ankimuar ta ndryshoj kështu që dënimin me burgim efektiv ta zëvendësoj me dënim me kusht. Prokuroria e Apelit e Kosovës, me parashtresën PPA/II.nr.976/2025, të datës 21.05.2025, ka propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit së të akuzuarit ndërsa aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të vërtetohet”, theksohej tutje.
Përpos kësaj, sipas aktgjykimit mbrojtësi i të akuzuarit Astrit Isufi, avokati Muhamet Binaku e ankimon aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë sa i përket vendimit lidhur me sanksionet penale, duke pretenduar që gjykata e shkallës së parë është dashtë që rrethanat lehtësuese të rastit të cilat janë të rëndësishme për vendosjen e një dënimi të drejtë dhe të arsyeshëm. “Së pari gjykata nuk ka marrë parasysh deklaratën e të dëmtuarës e cila ka shprehur dëshirën për ta ruajtur marrëdhënien familjare dhe për të bashkëjetuar me të akuzuarin. Për më tepër, përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarës me dëshirat e të dëmtuarës ka kërkuar që të akuzuarit ti shqiptohet një dënim alternativ, siç është dënimi me kusht. Kjo kërkesë është mbështetur nga të dyja palët dhe ka marrë përkrahje të plotë, duke theksuar se nuk ka rrezik të përsëritjes së veprës penale. Gjykata ka detyrë ligjore të mbrojë institucionin e familjes, duke pasur parasysh rëndësinë në stabilitetin shoqëror dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për individët e përfshirë. Në këtë kontest vendimi i gjykatës ka dëmtuar marrëdhëniet bashkëshortore duke iu dhënë më shumë rendësi elemente të papërshtatshme dhe duke i injoruar rrethanat që do kishin quar në rehabilitim më të shpejt dhe rikthim në jetën e mëparshme. Po ashtu është injoruar fakti se i pandehuri është babai i pesë fëmijëve të mitur dhe një faktor i rëndësishëm për stabilitetin e familjes. Me propozim që të aprovohet ankesa, aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet ashtu që ndaj të akuzuarit ti shqiptohet dënim me kusht ose ti zëvendësohet dënimi me burg me dënim me gjobë.”
Tutje në aktgjykim jepen detaje se si fëmijët kishin qenë dëshmitarë të dhunës së përdorur nga babai i tyre drejtuar gruas së tij, nënës së fëmijëve në këtë rast dhe se si i drejtoheshin të ndalonte.
“Kështu, gjykata e shkallës së parë me rastin e matjes së dënimit ndaj të akuzuarit duke u bazuar konform të dispozitës së nenit 38, 69 dhe 70 të KPRK-së, ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese mori pranimin e fajësisë nga i akuzuari, keqardhjen e shprehur, premtimin se nuk do të kryej më vepra penale, kërkim faljen e tij dhe faktin se i njëjti në bazë të evidencës penale nuk ka qenë i dënuar asnjëherë më parë, kurse sa iu përket rrethanave rënduese gjykata mori parasysh: shkallën e lartë të pjesëmarrjes së personit të dënuar në të dy veprat penale, shkallën e përgjegjësisë penale pasi që veprat penale në këtë rast janë kryer me dashje të lartë, tek vepra penale sikurse në dispozitivin I, prezencën e dhunës fizike dhe atë fillimisht ‘’e ka goditur me peshqir në trup’’ e pastaj “e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën duke e goditur disa herë me shuplak dhe me grusht në fytyrë”, por kështu në të njëjtën ditë pasi që përsëri kanë pasur mosmarrëveshje, i akuzuari ‘’ja ka gjuajtur pjatat të dëmtuarës, e ka kapur për dore e ka ngre zhag dhe e ka futur në dhomën e tyre, e ka marr një kabull të rrymës dhe me te e ka sulmuar duke e goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, atëherë ka ndërhyrë vajza dhe dëshmitarja M.I duke i thënë “o bab boll se e mbytë mamin ” i akuzuari nuk është ndal derisa ju ka dukur boll si e ka rrah të dëmtuarën dhe e ka larguar nga shtëpia’’, motivet e ulëta për të cilat ka ndodhur vepra penale, intensitetin e rrezikimit apo dëmtimit të vlerës së mbrojtur e që në këtë rast është integriteti trupor i të dëmtuarës, faktin se dhuna është ushtruar në mënyrë të vazhdueshme nga ana e të akuzuarit siç është përshkruar në aktakuzë, trajtimin jo human ndaj bashkëshortes së tij duke e kontrolluar gjegjësisht duke mos i lejuar posedimin apo përdorimin e telefonit dhe pamundësisë për të komunikuar direkt me familjen e saj, faktin që veprimet inkriminuese të të akuzuarit janë kryer në prani edhe të familjarëve të tjerë saktësisht fëmijëve të mitur të tyre ku fëmija i tyre i përbashkët M.I kur e ka parë dhunën e ushtruar nga babai i saj ndaj nënës së saj ka ndërhyrë me qëllim që ta ndalojë mirëpo i njëjti prap ka vazhduar, ofendimet, sharjet dhe nënçmimet e vazhdueshme në drejtim të të dëmtuarës duke e denigruar në vazhdimësi personalitetin e saj. Po ashtu, duke marrë parasysh se i njëjti ka vazhduar edhe më tutje kur të dëmtuarës në vazhdimësi me dashje dhe me qëllim frikësimi dhe të cenimit të dinjitetit në marrëdhënien familjare e ka kanosur ashtu që çdo herë që ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dëmtuarës si me dt.30.03.2025 dhe me herët, i akuzuari iu ka kanosur të dëmtuarës seriozisht duke i thënë “ti nuk guxon me mu nda mua, se kam me ta vra familjen kam me ti faruar krejt”, e që me këtë rast të gjitha të lartcekurat paraqesin figurën e veprës penale Dhuna në familje, nga neni 248 par.1 e lidhur me nenin 77 të KPRK-së dhe veprës penale Kanosja nga neni 181 par.1 e lidhur me nenin 77 të KPRK-së dhe në prezencë të këtyre rrethanave të akuzuarit i shqiptoi dënim unik me dënim me burgim dhe gjobë si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar me bindje se edhe me këtë aktgjykim do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK-së”, thuhet tutje nga Gjykata e Apelit.
Sipas gjykatës një konstatim të këtillë të rrethanave relevante për caktimin dhe matjen e dënimit si të drejtë dhe të ligjshëm e pranon edhe kjo gjykatë dhe gjen se gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë i ka konstatuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, mirëpo sipas vlerësimit të kolegjit penal të kësaj gjykate rrethanat lehtësuese o ka nënvlerësuar ndërsa ato rënduese i ka mbivlerësuar duke marrë parasysh posaçërisht faktin se e dëmtuara dhe përfaqësuesi i autorizuar i saj kanë njoftuar gjykatën se e dëmtuara është kthyer në shtëpinë e të akuzuarit me datë 02.04.2025 sipas marrëveshjes së të dyja familjeve, familjes së të akuzuarit dhe të dëmtuarës e po ashtu kanë kërkuar që për hir të interesit të ruajtjes së familjes kanë propozuar që të akuzuarit ti shqiptohet dënim alternativ apo dënim më i butë e duke marrë parasysh dhe deklarimin e të akuzuarit në seancën e kolegjit se është penduar për veprën që e ka kryer dhe se premtimin e tij se në të ardhmen nuk do të kryej vepra penale nga gjitha këto tani kolegji penal i kësaj gjykata vlerëson se përgjegjësia penale e të akuzuarit tani është më e ultë sesa e ka vlerësuar gjykata e shkallës së parë dhe tani të akuzuarit i shqiptoi dënim me të butë si në dispozitiv të këtij aktgjykimi me bindje se ky dënim tanimë më i butë ndaj të akuzuarit është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale, me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit si ekzekutorë dhe se kjo do t’i shërbej preventivës gjenerale, posaçërisht asaj individuale, forcimit të moralit të shoqërisë, si dhe përgjegjësisë dhe disiplinës së qytetarëve, se me këtë kryerësi do të parandalohet nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të bëhet rehabilitimi i tij.
E përfundimi i kësaj çështje doli tejet tragjik pasi Astrit Isufi kërcënimin që ia kishte bërë viktimës edhe e realizoi, duke i vrarë dy vëllezërit e gruas së tij.
Në Kosovë ky s’është rasti i parë ku të akuzuarit për dhunë në familje përfundojnë duke kryer edhe vrasje të rëndë, shpesh herë e lidhur ngushtë me akuzën e parë ku përfshihet edhe kanosja./Lajmi.net/