U bënë viral që startuan me nëntë futbollistë, nga 17 rastet e konfirmuara me COVID, 13 i takojnë variantit të ri ‘Omicron’

Portugalia ka zbuluar 13 raste të variantit 'Omicron' të koronavirusit të hënën, ku të gjithë përfshinin lojtarë dhe anëtarë të stafit të klubit të futbollit të Lisbonës Belenenses SAD, pasi një lojtar u kthye kohët e fundit nga Afrika e Jugut, tha autoriteti shëndetësor DGS.

Sport

29/11/2021 11:26

Varianti i ri, i cili sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka të ngjarë të “përhapet ndërkombëtarisht”, u gjet pasi Belenenses luajti një ndeshje të Primeira Liga kundër Benfica-s të shtunën.

Loja filloi me vetëm nëntë lojtarë të Belenenses në fushë sepse pjesa tjetër e skuadrës së tyre ishte e izoluar dhe vetëm shtatë u kthyen në fushë pas pjesës së parë. Ndeshja u ndërpre dy minuta pas pjesës së dytë me Benfikën në avantazh 7-0.

“Ne jemi të gjithë në izolim, përveç ekipit të të rinjve që nuk luajti të shtunën, 44 persona janë në izolim në shtëpi,” tha të hënën një zëdhënës i klubit, i cili gjithashtu është i vetëizoluar.

“Dy-tre lojtarë dhe dy-tre staf kanë simptoma, por asgjë shumë serioze, pjesa tjetër janë asimptomatike. Të gjithë presin të përsërisin analizat, sapo autoriteti shëndetësor të autorizojë”, shtoi ai.

Presidentët e Benfica-s dhe Belenenses thanë në një konferencë për shtyp të shtunën se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të luanin ndeshjen ose rrezikonin të ndëshkoheshin për një “mungesë të pajustifikuar”. Ata fajësuan ligën dhe DGS që nuk lejuan shtyrjen e ndeshjes.

Mbrojtësi i Belenenses, Cafu Phete, doli pozitiv me COVID-19 pasi u kthye javën e kaluar nga detyra ndërkombëtare në Afrikën e Jugut.

Një zëdhënës i DGS ka thënë se nuk i takon autoritetit shëndetësor të shtyjë lojën, por të vlerësojë situatën e COVID-19 dhe të zbatojë masa, të tilla si vetëizolimi, për të ndaluar përhapjen e sëmundjes.

Në një deklaratë të veçantë të hënën, DGS tha se njerëzve që ishin në kontakt me lojtarët e infektuar, si me kontakte me rrezik të ulët ashtu edhe me rrezik të lartë, iu tha të izoloheshin derisa autoriteti shëndetësor të ketë më shumë detaje në lidhje me transmetueshmërinë e variantit ‘Omicron’.

Një zëdhënës i Benfica-s tha se asnjë lojtar i saj nuk ishte në izolim pasi nëntë anëtarët e skuadrës së Belenenses me të cilët luajtën të shtunën nuk konsideroheshin kontakte me rrezik të lartë.

Ndeshja e radhës e Benfikës është planifikuar për të premten. /Lajmi.net/