Turqia mbështet zhvillimin bujqësor në Kosovë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim Ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Songul Ozan, me të cilën ka biseduar për zhvillimet e deritanishme në sektorin e bujqësisë dhe prioritetet e kësaj ministrie në vitet e ardhshme.

Lajme

14/01/2015 16:49

Krasniqi, ka theksuar se zhvillimi i mëtejmë i sektorit të bujqësisë, do të ndikojë edhe në zhvillimin e ekonomik të vendit dhe më këtë rast ai e njoftoi ambasadoren se edhe buxheti për bujqësinë tashmë është dyfishuar dhe se kjo do të ju mundësojë që të përkrahin nën-sektorë dhe kultura të ndryshme bujqësore.

Ministri me këtë rast ka falënderuar ambasadoren Ozan për mbështetjen që Turqia i ka dhënë në vazhdimësi Kosovës, e veçanërisht në fushën e bujqësisë, duke shprehur gatishmërinë e tij për të thelluar edhe më tej partneritetin mes MBPZHR-së dhe ambasadës së Turqisë në Kosovë, me qëllim të fuqizimit të mëtejmë të sektorit të bujqësisë.

Nga ana e saj, Ambasadorja Ozan, ka uruar ministrin Krasniqi për detyrën e re dhe ka rikonfirmuar gatishmërinë e shtetit të saj për të ndihmuar edhe më tej zhvillimin bujqësor të vendit, njofton komunikata nga MBPZHR.