​Tryezë shkencore për Ibrahim Rugovën: Me emrin e tij lidhet letërsia, kultura e jeta nacionale

Me emrin e Rugovës lidhet shumë mendimi modern me letërsinë shqiptare dhe kulturën moderne, teorinë dhe jetën nacionale. Kështu u tha në tryezën shkencore “Ibrahim Rugova, mendimtari dhe prijësi”, të organizuar nga Instituti Albanologjik i Kosovës. Në këtë aktivitet, ish-presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova u vlerësua për profilin psikologjik, intelektual dhe politik. Sekretari i…

Lajme

24/03/2026 12:18

Me emrin e Rugovës lidhet shumë mendimi modern me letërsinë shqiptare dhe kulturën moderne, teorinë dhe jetën nacionale. Kështu u tha në tryezën shkencore “Ibrahim Rugova, mendimtari dhe prijësi”, të organizuar nga Instituti Albanologjik i Kosovës.

Në këtë aktivitet, ish-presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova u vlerësua për profilin psikologjik, intelektual dhe politik.

Sekretari i Institutit, Adil Olluri, tha se kjo tryezë nderon institutin, por edhe veprën studimore dhe letrare të Rugovës.

“Jemi krenarë që kemi arritur ta realizojmë një tryezë shkencore në shenjë nderimi profesional, kolegjial dhe shoqëror për një figurë madhore, siç është Ibrahim Rugova. Me organizimin e kësaj tryeze kemi nderuar vetën dhe veprën studimore dhe letrare dhe veprimtarinë intelektuale të Ibrahim Rugovës”, tha Olluri.

Studiuesja Albanë Mehmetaj-Kaçandolli tha se emri i Rugovës mbetet ende fushë studimi dhe reflektimi.

“Me emrin e Rugovës lidhet shumë mendimi modern me letërsinë shqiptare dhe kulturën moderne, teorinë dhe jetën nacionale. Rugova ishte i pavarur dhe nuk i imponohej shoqërisë. Emri i Rugovës mbetet ende një fushë studimi dhe reflektimi që bëhet bashkë me dimensionin estetik. Nëpërmjet disa kujtesave shpërfaqet edhe emri i tij në aspektin e ditarit”, shtoi ajo.

Ndërkaq, profesori Milazim Krasniqi përmendi librin e tij “Sekretet që la pas Rugova”, për të cilin tha se ka trajtuar profilin intelektual dhe politik të Rugovës në mënyrën më autentike.

Ai trajtoi si temë aktivitetin e Rugovës në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe veprimtarinë e tij publike e politike.

“Ata që e kanë lexuar (librin) e kanë të qartë që në këtë libër kam lëvduar profilin psikologjik, intelektual dhe politik të Rugovës në mënyrën më autentike të mundshme, ashtu si ai ka qenë jo si imagjinohet të jetë, për shkak të afërsisë që kam pasur me të që nga viti 1988. Sot do të trajtoj aktivitetin e Rugovës që ka pasur me Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës aty ku ka filluar veprimtarinë e tij publike e politike dhe nga e cila ai u bë një lider i madh…Në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, më 16 shkurt 1988, ku Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i saj. Baraka ishte e kapluar nga lagështia në ndriçim të dobët ngase dritaret e saj të vogla zinte dritën ndërtesa e policisë së shtetit dhe shërbimit sekret Jugosllav. Në atë kompleks ndërtesash, bashkë me Policinë ishte edhe burgu i Prishtinës. Nuk e di a ishte futur shoqata me plan në atë kontekst por rezultati ishte se ishte nën vëzhgim dhe kërcënim. Në vetmin rast kur Ibrahimi kishte bezdi ishte kur kalonim afër kafenesë të Miqës, sepse UDB-ja i nxiste për të shkaktuar ndonjë incident”, tha Krasniqi./kp