Trump vendos tarifa ndaj BE-së, katër shtete kërkojnë kundërmasa dhe negociata

Franca, Gjermania, Holanda dhe Italia kanë reaguar pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi tarifa prej 30% për të gjitha mallrat e BE-së të importuara në SHBA, duke i bërë thirrje BE-së të përshpejtojë përgatitjet për kundërmasa, negociata “pragmatike” dhe një “marrëveshje të drejtë”. Trump njoftoi se tarifat do të zbatohen për shumicën e mallrave…

Bota

13/07/2025 08:34

Franca, Gjermania, Holanda dhe Italia kanë reaguar pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi tarifa prej 30% për të gjitha mallrat e BE-së të importuara në SHBA, duke i bërë thirrje BE-së të përshpejtojë përgatitjet për kundërmasa, negociata “pragmatike” dhe një “marrëveshje të drejtë”.

Trump njoftoi se tarifat do të zbatohen për shumicën e mallrave të BE-së të importuara në SHBA nga 1 gushti.

E njëjta përqindje vlen edhe për Meksikën.

Presidentja e Komisionit Evropian njoftoi se KE do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë miratimin e kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme.

“Ne mbetemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht. Në të njëjtën kohë, ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë marrjen e kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme”, tha Ursula von der Leyen.

“Bashkimi Evropian mbetet i fortë, i bashkuar dhe i gatshëm për të mbrojtur interesat e tij”, tha presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.

“Tarifat janë taksa. Ato nxisin inflacionin, krijojnë pasiguri dhe pengojnë rritjen ekonomike. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë partneritete të forta tregtare në të gjithë botën”, shtoi ai.

“Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë përgatitjet për kundërmasat pasi SHBA kërcënoi me tarifa prej 30% për mallrat e BE-së”, tha presidenti i Francës.

“Më shumë se kurrë, i takon Komisionit të tregojë vendosmërinë e Unionit për të mbrojtur interesat evropiane”, shtoi Emmanuel Macron.

Ndryshe, Ministrja e Ekonomisë e Gjermanisë i bëri thirrje BE-së për negociata “pragmatike” me SHBA-në pas kërcënimeve nga Donald Trump.

“Tani i takon BE-së, në kohën e mbetur, të negociojë në mënyrë pragmatike një zgjidhje me SHBA-në”, tha Katherina Reiche.