Trump thotë se Putin mund të mos dojë të bëjë marrëveshje për Ukrainën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të martën se shpreson se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të ndërmarrë hapa drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, por e pranoi se lideri rus mund të mos dëshirojë fare të bëjë marrëveshje. Por, sipas tij, mungesa e një marrëveshjeje do të krijonte “situatë të…

Bota
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të martën se shpreson se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të ndërmarrë hapa drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, por e pranoi se lideri rus mund të mos dëshirojë fare të bëjë marrëveshje.
Por, sipas tij, mungesa e një marrëveshjeje do të krijonte “situatë të vështirë” për Putinin.
Në një intervistë për Fox News, Trump tha se pret që Putini t’i bëjë të qarta veprimet e tij në javët e në vijim.
Trump e përjashtoi sërish mundësinë e vendosjen e trupave amerikane në tokën e Ukrainës dhe nuk dha hollësi për garancitë e sigurisë që ka përmendur më parë se Uashingtoni mund t’ia ofrojë Kievit si pjesë e çdo marrëveshjeje pas luftës.
“Nuk mendoj se do të jetë telash [arritja e një marrëveshjeje për paqe], të jem i sinqertë me ju. Mendoj se Putini është lodhur prej saj. Mendoj se të gjithë janë lodhur, por nuk i dihet kurrë”, tha Trump.
“Do ta kuptojmë se çfarë do të bëjë presidenti Putin në javët e ardhshme … Është e mundur që ai të mos dojë të bëjë marrëveshje fare”, tha Trump, i cili më herët ka kërcënuar me më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe vendeve që blejnë naftën e saj nëse Putini nuk sjell paqe.
Ukraina dhe aleatët e saj evropianë u inkurajuan nga premtimi i Trumpit për garanci të sigurisë për të ndihmuar në përfundimin e luftës gjatë një samiti të jashtëzakonshëm të hënën, por përballen me shumë pyetje pa përgjigje, përfshirë se sa e gatshme është Rusia të marrë pjesë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti takimin e së hënës në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan “hap të madh përpara” drejt përfundimit të konfliktit më vdekjeprurës në Evropë prej 80 vjetësh, dhe drejt organizimit të një takimi trepalësh me Putinin dhe Trumpin në javët në vijim.
Zelensky ishte i shoqëruar në samit nga liderët e vendeve aleate, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë.
Rruga drejt paqes mbetet thellësisht e pasigurt dhe Zelensky mund të detyrohet të bëjë kompromise të dhimbshme për t’i dhënë fund luftës, e cila filloi me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Analistët thonë se mbi 1 milion njerëz janë vrarë ose plagosur në këtë luftë.
Rusia nuk ka bërë ndonjë zotim të qartë për ndonjë takim midis Putinit dhe Zelenskyt.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të martën se Moska nuk e refuzon asnjë format për diskutimin e procesit të paqes në Ukrainë, por çdo takim i udhëheqësve kombëtarë “duhet të përgatitet me kujdesin më të madh”.
Putini ka paralajmëruar se Rusia nuk do t’i pranojë trupat e aleancës së NATO-s në tokën ukrainase.
Ai gjithashtu nuk ka treguar asnjë shenjë se do të tërhiqet nga kërkesat për tokën, përfshirë toka që nuk janë nën kontrollin ushtarak të Rusisë, pas bisedimeve të tij me Trumpin të premten e kaluar në Alaskë.
Trump nuk ka sqaruar se çfarë forme mund të marrin garancitë e sigurisë së SHBA. Në Alaskë ai u tërhoq nga këmbëngulja që Rusia të pranonte armëpushim para se të fillonin seriozisht negociatat për paqe. REL