Trump ‘tërhiqet’ nga qëndrimi i dhjetorit, mbështet “Një Kinë”

14:09 | 10 Shkurt 2017

Atë që e vuri seriozisht në pikëpyetje në dhjetor, e mbështet në shkurt. Presidenti Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me homologun kinez, Xi Jinping.

Shtëpia e Bardhë doli me një deklaratë ku theksohej rëndësia e kësaj bisede.

“Biseda ishte thelbësore për marrëdhëniet mes dy vendeve. Të dy liderët ftuan njëri-tjetrin për vizitë zyrtare”, thuhet më tej.

Por në Pekin ishin më entuziastë. Mediat shtetërore zbardhën më shumë detaje nga kjo bisedë.

“Kina mirëpret qëndrimin e Donald Trump për politikën e Kinës së Vetme. Dy vendet tona janë partnere dhe me përpjekje të përbashkëta ne mund të çojmë marrëdhëniet tona në një nivel të ri historik”, thuhet në deklaratën e Xi Jinping.

Donald Trump shkaktoi reagime të ashpra në Kinë në muajin dhjetor kur pranoi një telefonatë uruese nga presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-ëen. Tajvani është aleati kryesor ushtarak i SHBA në rajon, megjithatë asnjë President apo President i Zgjedhur nuk ka folur ndonjëherë drejtpërdrejtë me një udhëheqës tajvanez prej dekadash.

Kjo është pjesë e politikës “Një Kinë”, që Uashingtoni e njeh dhe ka lidhje formale vetëm me Pekinin dhe jo më vendin ishullor, që Kina e konsideron provincë të veten që një ditë do të ribashkohet me pjesën tjetër të vendit.

Në dhjetor, Trump sugjeroi se mund ta nxirrte politikën e jashtme amerikane nga ky qëndrim.

“Nuk e kuptoj se përse duhet të përkulemi përballë politikë e “Një Kinë”. Këtë mund ta bëjmë vetëm nëse kemi ndonjë marrëveshje tjetër, përfshirë këtu edhe për tregtinë”, deklaronte ai.