Trump sugjeron se tani preferohet presioni ekonomik, jo ushtarak, ndaj Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump, duket se është tërhequr nga kërcënimet për veprime të menjëhershme ushtarake kundër Iranit, pavarësisht mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me Teheranin për Ngushticën e Hormuzit, duke sugjeruar se do të lejojë që presioni ekonomik ta detyrojë Republikën Islamike të arrijë një marrëveshje paqeje, e cila prej kohësh ka mbetur e paarritshme. “Po e…

Bota

10/08/2026 17:04

Presidenti amerikan, Donald Trump, duket se është tërhequr nga kërcënimet për veprime të menjëhershme ushtarake kundër Iranit, pavarësisht mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me Teheranin për Ngushticën e Hormuzit, duke sugjeruar se do të lejojë që presioni ekonomik ta detyrojë Republikën Islamike të arrijë një marrëveshje paqeje, e cila prej kohësh ka mbetur e paarritshme.

“Po e mbajmë me tone të ulëta”, i tha Trump portalit të lajmeve Axios, në një bisedë të shkurtër telefonike më 9 gusht, duke përdorur një shprehje që përgjithësisht i referohet veprimeve të përmbajtura.

“Ne vetëm po negociojmë pjesërisht me ta. Thjesht po e vëzhgojmë Iranin me inflacionin e tij të madh, dhe faktin që nuk kanë para”, u citua të ketë thënë Trump. Axios shtoi se Trump nuk bëri kërcënime të tjera ushtarake gjatë intervistës.

Trump tha se Irani është “në gjendje shumë të keqe” ekonomikisht, se nuk ka para për t’i paguar trupat e tij dhe se bllokada detare amerikane e ka përkeqësuar krizën ekonomike me të cilën përballet qeveria e vendit.

Sipas Axios, ai tha se, me çmimet e naftës që po bien nga nivelet e larta të kohëve të fundit, amerikanët po e ndiejnë më pak barrën e luftës – e cila, sipas shumë sondazheve, mbetet shumë jopopullore në mesin e publikut amerikan.

“Do të rregullohet. Gjithmonë rregullohet. Është si një lojë shahu”, tha Trump për procesin e negociatave me regjimin në Teheran, i cili herë pas here rifillon dhe ndërpritet.

“Të armatosur dhe gati për luftë”

Më 1 gusht, Trump tha se kishte vendosur të “shtynte” çdo sulm të ri ndaj Iranit, duke thënë se një marrëveshje me Teheranin ishte pranë.

“SHBA-ja është e armatosur dhe gati për luftë dhe e gatshme të veprojë kundër Republikës Islamike të Iranit në nivele të terrorit ushtarak, fuqisë dhe forcës që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Pavarësisht kësaj, sapo na është kërkuar nga Irani dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme që të shtyjmë çdo sulm, pasi janë dakorduar parametrat e një marrëveshjeje”, shkroi Trump në Truth Social.

“Kjo do të përfshinte HAPJEN E MENJËHERSHME, TË PLOTË DHE TOTALE TË NGUSHTICËS SË HORMUZIT dhe përfundimin e kërcënimit bërthamor të Iranit”, shtoi presidenti amerikan.

“Bazuar në këtë kërkesë, kam rënë dakord, për të mirën e ardhshme të BOTËS dhe, gjithashtu, për mbijetesën e një Irani të suksesshëm dhe të begatë, ta anuloj sulmin, me kusht që të jemi në gjendje të arrijmë SHPEJT një MARRËVESHJE”, shkroi ai, duke shtuar se Izraeli i bashkohet këtij “angazhimi”.

Sipas mediave iraniane, burime ushtarake në Iran mohuan pretendimin e Trumpit se Teherani i kishte kërkuar Uashingtonit të përmbahej nga nisja e sulmeve të reja.

Më 9 gusht, mes deklaratave amerikane se një marrëveshje ishte pranë për të mundësuar hapjen e nNgushticës së Hormuzit, dega e fuqishme ushtarake elitare e Iranit tha se rruga ujore nuk do të rihapej derisa SHBA-ja të pranonte të gjitha kërkesat e Teheranit.

Irani e ka mbyllur këtë rrugë ujore jetike, duke kufizuar një burim të rëndësishëm të trafikut të cisternave të naftës për tregjet globale. Teherani e ka përdorur mbylljen e ngushticës si një kartë të rëndësishme në negociatat me Uashingtonin.

Megjithëse Trump fillimisht tha se eliminimi i kërcënimit bërthamor të Teheranit ishte objektivi kryesor i luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, e cila filloi më 28 shkurt, javët e fundit ai është përqendruar në qarkullimin e lirë të trafikut përmes ngushticës së rëndësishme të Hormuzit, përmes së cilës, para luftës, kalonte rreth 20 për qind e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror.