Trump pezullon lotarinë amerikane “Green Card”
Presidenti amerikan, Donald Trump ka pezulluar programin e vizave amerikane për lotarinë e “green card”-eve pas një sulmi me armë në Universitetin Brown javën e kaluar, ku u vranë dy persona. I dyshuari, një shtetas portugez i cili u gjet i vdekur të enjten, kishte hyrë në SHBA përmes programit të vizave për diversitet (DV1)…
Bota
Presidenti amerikan, Donald Trump ka pezulluar programin e vizave amerikane për lotarinë e “green card”-eve pas një sulmi me armë në Universitetin Brown javën e kaluar, ku u vranë dy persona.
I dyshuari, një shtetas portugez i cili u gjet i vdekur të enjten, kishte hyrë në SHBA përmes programit të vizave për diversitet (DV1) në vitin 2017 dhe ishte pajisur me “green card”, shkruan BBC.
Sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem, tha se ka pezulluar këtë program nën udhëzimin e Trump për të “siguruar që të mos dëmtohen më amerikanë nga ky program katastrofik”.
Zyrtarët amerikanë besojnë se i dyshuari, 48-vjeçari Claudio Neves Valente, gjithashtu vrau këtë javë profesorin portugez të Massachusetts Institute of Technology (MIT), Nuno Loureiro.
Programi i lotarisë ofron deri në 50,000 viza çdo vit përmes një procesi të përzgjedhjes së rastësishme për vendet me nivele të ulëta emigrimi drejt SHBA-së, shkruan BBC.
Noem shkroi në rrjetet sociale se Trump kishte luftuar më parë për të ndalur këtë program në vitin 2017, pas një sulmi me kamion në New York ku u vranë tetë persona. Sipas saj, autorë të sulmeve të mëparshme, si Sayfullo Saipov nga Uzbekistani, i mbështetës i Shtetit Islamik, kishin hyrë në SHBA përmes këtij programi.
Komentet e saj vijnë disa orë pasi Neves Valente u gjet i vdekur në një depo në Salem, New Hampshire, nga një plagë vetë-shkaktuar me armë zjarri, sipas policisë.
Policia tha se video dhe informacione nga publiku çuan hetuesit tek një agjenci qiraje makinash, ku u gjet emri i të dyshuarit dhe u konfirmua identiteti i tij pas një gjurmimi 6-ditor ndër-shtetëror. Ai u gjet i vdekur me një çantë dhe dy armë zjarri, ndërsa prova në një makinë pranë vendit të ngjarjes përputhej me vendin e krimit në Brown University, sipas prokurorit të Rhode Island, Peter Neronha.
Presidentja e Brown, Christina Paxson, tha se Neves Valente kishte qenë student në këtë universitet nga vjeshta e vitit 2000 deri në pranverën e vitit 2001, duke studiuar për doktoraturë në fizikë, dhe se ai nuk kishte asnjë lidhje aktive me universitetin.
Zyrtarët besojnë se Neves Valente vrau profesorin e MIT, Nuno F Gomes Loureiro, 47 vjeç, në shtëpinë e tij në Brookline të hënën, rreth 80 km nga Providence. Të dy kishin studiuar në të njëjtin universitet në Portugali në fund të viteve 1990.
Rasti u lidh pasi makina e të dyshuarit u identifikua nga kamerat CCTV dhe një dëshmitar në Brown University, dhe e njëjta makinë u pa pranë vendit të vrasjes së profesorit, vetëm dy ditë më vonë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një motiv të dyshuar për sulmet.
Dy studentë u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën kur sulmuesi hyri në ndërtesën e inxhinierisë së Brown më 13 dhjetor gjatë provimeve përfundimtare. Viktimat janë identifikuar si Ella Cook, 19 vjeçe nga Alabama, dhe Mukhammad Aziz Umurzokov, 18 vjeç, nga Uzbekistani.